Lajme

“Duhen mbyllur vendet e prodhimit të karburanteve fosile për të shmangur kaosin klimatik”


Thuajse gjysma e vendeve ekzistuese të prodhimit të karburanteve fosile duhet të mbyllen nëse ngrohja globale do të kufizohet në 1.5 gradë celsius.

Ky i fundit është qëllimi i rënë dakord ndërkombëtarisht për shmangien e katastrofës klimatike.

Konkluzioni i dalë nga një studim i fundit shkon përtej thirrjes së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë në vitin 2021 për të ndaluar të gjitha zhvillimet e reja të karburanteve fosile.

E gjitha për të shmangur ndikimet më të këqija të ngrohjes globale.

Hulumtimi i ri arrin në përfundimin radikal duke mos supozuar se teknologjitë e reja do të jenë në gjendje të thithin sasi të mëdha të karbonit nga atmosfera për të kompensuar djegien e qymyrit, naftës dhe gazit.

Sipas ekspertëve, mbështetja në teknologji të tilla është një lojë e rrezikshme.

Greg Muttitt, në Institutin Ndërkombëtar për Zhvillim të Qëndrueshëm, ka qenë një nga drejtuesit e kërkimit të ri.

“Ndalimi i projekteve të reja të nxjerrjes është një hap i domosdoshëm, por ende jo i mjaftueshëm për të qëndruar brenda buxhetit tonë të karbonit që po pakësohet me shpejtësi”, ka thënë ai.

Sipas tij, disa licenca ekzistuese të karburanteve fosile dhe prodhimi do të duhet të revokohen dhe të hiqen gradualisht.

“Qeveritë duhet të fillojnë të trajtojnë se si ta bëjnë këtë në një mënyrë të drejtë dhe të barabartë, gjë që do të kërkojë kapërcimin e kundërshtimit nga interesat e karburanteve fosile”, ka shtuar.

Autori tjetër i kërkimit, Kelly Trout, ka treguar se “studimi përforcon idenë se ndërtimi i infrastrukturës së re të karburanteve fosile nuk është një përgjigje e qëndrueshme ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës”.

“Bota tashmë ka përfituar shumë naftë dhe gaz”, ka vijuar ai.

Referuar studiuesve, qeveritë duhet të përshpejtojnë futjen e energjisë së rinovueshme dhe masave të efikasitetit.

Studimi ka analizuar një bazë të dhënash të më shumë se 25 mijë fushave të naftës dhe gazit dhe ka zhvilluar një grup të ri të dhënash të minierave të qymyrit.

Studiuesit zbuluan se fushat dhe minierat që janë zhvilluar tashmë do të çonin në 936 miliardë tonë karbon kur të shfrytëzoheshin dhe digjeshin plotësisht.

Çka rezulton në 25 vjet emetimeve globale me ritmin e sotëm dhe shkencëtarët bien dakord që emetimet duhet të përgjysmohen deri në vitin 2030.

Po ashtu studiuesit kanë llogaritur se 40 për qind e lëndëve djegëse fosile të zhvilluara duhet të qëndrojnë në tokë për të pasur një shans që rritja e temperaturës globale të ndalojë në 1.5 gradë celsius.

Gjysma e emetimeve do të vijnë nga qymyri, një e treta nga nafta dhe një e pesta nga gazi.

Gati 90 për qind e rezervave të zhvilluara ndodhen në vetëm 20 vende, kryesuar nga Kina, Rusia, Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndjekur nga Irani, India, Indonezia, Australia dhe Kanadaja.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore