Lajme

Duhen marrë masa për grerëzat aziatike që po shuajnë bletët në Evropë, thonë eurodeputetët


Eurodeputetët italianë po i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që të marrin masa kundër grerëzave aziatike.

Kjo pasi këto të fundit po përhapen në disa vende të BE-së dhe po vrasin bletët.

Grerëzat u identifikuan për herë të parë në kontinent dy dekada më parë, duke mbërritur në Francë përpara se të përhapeshin në Spanjë, Belgjikë, Holandë, Portugali dhe Itali.

Pasi u shfaqën për herë të parë në vitin 2012 në Itali, ato po shkaktojnë kërdi në rajonet veriore të vendit.

Ka pasur gjithashtu një rritje të mprehtë të tyre në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar.

Sakaq, bletët janë jetike për prodhimin e mjaltit dhe ruajtjen e një ekosistemi të shëndetshëm.

11 eurodeputetë nga krahu i djathtë italian Forza Italia i kanë kërkuar komisionit të hartojë “masa specifike për të luftuar kundër përhapjes së insektit përmes sistemeve të kontrollit të financimit me burimet e BE-së”.

Grerëza aziatike ishte një “grabitqar i pangopur” me aftësinë për të vrarë deri në 30 bletë në ditë, ka thënë eurodeputeti Salvatore De Meo.

“Që nga viti 2004, kjo ka shkaktuar një rënie të ndjeshme të popullsisë së bletëve në disa vende të BE-së”, ka bërë me dije ai.

Sipas tij, ky fenomen rrezikon pjalmuesit tradicionalë, veçanërisht bletët nga të cilat varet prodhimi i mjaltit italian të cilësisë së lartë dhe rrezikon të dëmtojë biodiversitetin.

Grerëza aziatike, Vespa velutina, besohet se ka hyrë në Evropë përmes portit të Bordo në vitin 2004 në një kontejner që përmbante qeramikë të importuar nga Kina.

Ato i kushtojnë ekonomisë franceze rreth 30.8 milionë euro në vit, ndërsa insektet kanë shkaktuar një rënie prej 35 për qind të prodhimit të mjaltit në Portugali vitet e fundit.

Në Itali, insektet u identifikuan fillimisht në Liguria përpara se të përhapeshin në Piemonte, Toskanë dhe së fundmi në Emilia-Romagna dhe Veneto.

Ndërkohë është e paqartë se sa ka ndikuar grerëza aziatike deri tani në prodhimin e mjaltit në nivel kombëtar, por humbjet në Liguria janë vlerësuar në 50 për qind.

Po ashtu bletarët në Toskanë dhe Veneto po ngrenë alarmin.

“Ne jemi të shqetësuar”, ka theksuar Michele Meridio, presidenti i shoqatës së bletarëve në Veneto.

Meridio ka thënë se grerëzat aziatikë ishin të ndryshme nga grerëza orientale, ose Vespa orientalis, e cila po shkatërron zonat e jugut të Italisë.

“Një grerëza orientale mund të sulmojë një koshere të vetme bletësh, ndërsa një grerëza aziatike sulmon disa koshere bletësh në të njëjtën kohë”, ka thënë ai.

“Ata vrasin bletët me një shpejtësi kaq të jashtëzakonshme – duke i copëtuar dhe duke i sjellë mbetjet në foletë e tyre për të ushqyer të vegjlit e tyre – saqë bletët nuk i lënë më kosheret e tyre”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore