Lajme

Dugin kritikon Putin-in, e më pas e ndryshon mendim


Njëri vlen shumë pak e tjetri më pak seç mendon.

Por ata kanë emra dhe një të kaluar që justifikon vëmendjen ndaj tyre.

I pari si gjoja ideolog i Kremlinit, i dyti dikur president.

Dhe me deklaratat e tyre të fundit, të cilat nuk mund të ishin më divergjente, ata japin idenë e çorientimit aktual të asaj që quhet partia ruse e luftës.

“Në një autokraci, ne i japim sovranit plotësinë absolute të pushtetit për të na shpëtuar të gjithëve, dhe fuqi të plota në rast suksesi, por edhe përgjegjësi të plotë në rast dështimi”, tha  Aleksandr Dugin.

Asnjë nuk e priste një reagim të tillë, të Dugin-it për njeriun, dashamirësisë së të cilit i detyrohet për të gjithë famën e tij.

“Rusët qajnë dhe vuajnë” për dorëzimin e Khersonit.

Tre ditë më parë, në një postim të gjatë në Telegram, Dugin shkroi se “nëse për të shpëtuar popullin e tij sovrani e rrethon veten me katrahura ose pështyn mbi drejtësinë sociale, është e pakëndshme, por është e justifikuar”.

Përkundrazi, “nëse dështon, fati i tij është vdekja”, vëren filozofi, duke cituar një ese të antropologut skocez James Frazer.

Më pas ai tentoi që ta fshijë postimin.

“Perëndimi po transmeton trillimet se patriotët rusë dhe unë do të ishim kthyer kundër Putinit. Natyrisht askush nuk do ta besojë atë, por për çdo rast: askush nuk ia kthen shpinën presidentit, ne të gjithë e mbështesim atë pa kushte”.

Nga ana tjetër i dyti, Dmitri Medvedev, kujdeset vazhdimisht të shprehë qëndrimit më kërcënuese si zakonisht.

“Rusia nuk e ka përdorur ende arsenalin e saj të plotë”, vetëm sepse dëshiron të shmangë “goditjen e armikut në zonat e populluara”.

Por nuk ka dyshim, përfundon ai, se “do të vazhdojë të rimarrë territoret e saj”.

Deri më tani, asnjë nga profecitë e tij të errëta nuk është realizuar ndonjëherë.

Ndërkohë, në samitin e G20 në Bali, emri i Putinit është ende në rendin e ditës së seancës së dytë, pavarësisht se ai ka shprehur synimin për të mos u lidhur as nga distanca.

Marrë nga “Corriere Della Sera”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore