Lajme

Duam paret tona – opozita vazhdon betejën në Kuvend për tërheqjen e 30% të Trustit


Foto: Albanian Post.

Si zgjidhje për të përballuar rritjen dyfishore të inflacionit që ka varfëruar shportën e konsumatorit dhe ka ngadalësuar aktivitetin ekonomik, deputet e opozitës e kanë parë tërheqjen e Trust-it.

Prandaj, lejimi i tërheqjes së Trust-it sërish do të propozohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Mosrritja e pagave dhe rritja e çmimeve në vazhdimësi ka rënduar situatën ekonomike në Kosovë.

Rritja e çmimeve, ka qenë në disa raste mbi 100 për qind e ku rritje kishin pësuar shumica e produkteve dhe shërbimeve – nga mishi, mielli, vaji deri te materialet ndërtimore, rryma, nafta.

Për shkak se Qeveria e Kosovës nuk është duke ofruar zgjidhje tjetër, profesori i Ekonomisë Nagip Skenderi, konsideron se kjo është zgjidhja e vetme që ka mbetur.

“Konsideroj se mjetet e Trustit duhet të ruhen për ditët e pas pensionimit, në kohën e pleqërisë, por meqenëse Qeveria e Kosovës, në këtë kohë krize nuk ka ndërmarrë asnjë masë për ruajtjen e standardit ekonomik e social të qytetarëve nga inflacioni, që tashmë e kemi në përmasa dyfishore), atëherë tërheqja e mjeteve nga Trusti është masa e fundit që sado pak qytetarët të përballen me koston në rritje të produkteve dhe shërbimeve elementare”.

Ai shton se, “deputetët të enjten duhet të reflektojnë dhe jo të veprojnë me inate partiake e personale në dëm të qytetarëve”.

Kurse, situatën aktuale të Qeverisë e quan “skandaloze” sepse nuk po menaxhon si duhet “në të gjitha segmentet e saj”.

“Siç duket Qeveria nuk po mundet të përballojë situatat skandaloze në të gjitha segmentet e saj, prandaj nuk ka kohë për t’u marr me çështjet bazike të qytetarëve, siç është situata sociale e ekonomike e tyre”.

Foto: Albanian Post.

Skenderi, sqaron edhe disa nga masat të cilat duhet të merren për të zbutur sado pak këtë kohë krize.

“Mendoj se Qeveria, përmes masave fiskale do të duhej intervenuar në ekonomi, sidomos në zbutjen e akcizës tek nafta dhe derivatet e saj, sepse dihet që inflacioni tek ne është i importuar në masë të konsiderueshme”.

Meqë me paga jo, profesori tregon se Qeveria ndihmë mund të u ofroj qytetarëve në një formë tjetër.

“Për t’u dalur në ndihmë qytetarëve, është më se e domosdoshme që institucionet të shtojnë masën e kontrolleve dhe ndëshkimeve tek bizneset keqpërdoruese, gjithashtu intervenime fiskale do të duhej ndërmarr edhe për produktet e tjera bazike”.

Për ekonomistin Imer Raçi, shqetësuese është rritja e çmimeve mbi 30 për qind, pa pasur rritje të pagave në Kosovë.

“Sot, jemi dëshmitar të rritjes së çmimeve të cilat po na shoqërojnë çdo ditë e cila është si pasoj e rritjes së çmimeve globale e edhe si pjesë e spekulimeve pasi që shumë herë vërehet se rritja e çmimit nuk përkon me koston”.

“Sipas të dhënave te përdoruara nga publikimet e ASK-së, për produktet bazike kemi një rritje të çmimeve prej 32.50% gjë që është shqetësuese sepse kjo ka ndikuar shumë në uljen e standardit të qytetarëve, sepse e ka rritur çmimin e shportës se konsumatorit për 32.50% e nuk është rritur asnjëherë paga po për të njëjtën shumë”, thotë ai në një bisedë për Albanian Post.

Nga këndvështrimi i tij, zgjidhje është tërheqja e Trustit, por që për lejimin e këtij procesi duhet të punohet më shumë në një drejtim tjetër.

“Tërheqja e Trust-it duhet të ndodhë, mirëpo tregu jonë kërkon rritjen e numrit të inspektorëve dhe vendosjen e një rendi në tregti pasi që çmimet e produkteve esenciale po kenë një rritje të çmimeve të madhe, pra që paraja e paraqitur në qarkullim të mos e rrit edhe më shumë inflacionin, por të ruaj standardin e qytetarëve”.

Ilustrim.

Por, sërish është i mendimit se Trusti pensional ka mbetur si zgjidhja e vetme.

“Kjo jetë përmes mbulimit të shpenzimeve nga paga është renduar tej mase andaj duhet stimuluar qytetarët përveç përmes rritjeve të pagave edhe përmes tërheqjes së kursimeve të tyre nga Trusti”.

Më 7 dhjetor, nisma për tërheqjen e Trustit është proceduar për në Kuvendin e Kosovës.

Për të përcjellur projektligjin në Kuvend kanë votuar pro 4 deputetë, kundër kanë votuar 3, ndërsa 2 kanë abstenuar.

“8 vjet duhet për t’i rikthyer mjetet që tërhiqen nga Trusti”

Instituti për Studime të Avancuara (GAP), në një hulumtim kishte thënë se nëse qytetarët e Kosovës do të tërhiqnin 30 për qind të mjeteve që kanë grumbulluar, atyre do t’u duhen tetë vjet për t’i rikthyer ato.

Sipas këtij hulumtimi, në rast se miratohet projektligji për tërheqje, Trusti do të obligohet t’i fillojë procedurat për shpërndarjen e mbi 594 milionë eurove.

Në vitin 2020, qytetarëve të Kosovës u është mundësuar të tërheqin 10% të kursimeve të tyre nga Trusti.

Kjo ishte bërë me arsyetimin për Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, qëllim i të cilit ka qenë adresimi i vështirësive financiare, të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

Asokohe, nga Trusti janë tërhequr afro 200 milionë euro nga mbi 420 mijë kontribut-pagues. Fondi Monetar Ndërkombëtar edhe në atë kohë kishte qenë kundër.

Në Kosovë, gjatë vitit 2022, janë shtrenjtuar dukshëm edhe çmimet e produkteve bazë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rritja ka filluar nga muaji prill me 1.2 për qind, duke arritur në 5.7 për qind në muajin tetor.

Rritja më e lartë e çmimeve është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore