Muzikë

Dua Lipa: Vazhdoni të ëndërroni sepse çdo gjë është e mundur


Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa

Gjatë së enjtes, këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka mbajtur një konferencë për shtyp në Prishtinë, në prag të ceremonisë hapëse të festivalit “Sunny Hill”.

Ajo i ka falënderuar përkrahësit e saj duke thënë se mbështetjen e tyre e ndjen “nga do që shkon”.

Ndër të tjera ajo tha se përmes këtij festivali, po mundohet t’i tregoj botës për historinë e vendlindjes së saj.

“S’ka rëndësi se sa ëndrrën e madhe keni, ju mund t’ia dilni nëse e mbani mendjen aty. Vazhdoni të ëndërroni sepse çdo gjë është e mundur”.

“Sunny Hill”, të enjten nis me koncertet nga artistë të ndryshëm vendor dhe ndërkombëtarë, e kësaj radhe hapjen do ta bëj vetë Dua Lipa, për t’ua lënë radhën yjeve të tjerë në tri netët e ardhshme.

Krijuesja e hitit “Levitating” bëri të ditur, se për rikthimin e saj ka përgatitur një performancë mjaft të veçantë.

“Do të jetë befasi, është diçka shumë special që është krijuar vetëm për këtë performancë, është një ndjesi shumë e mirë që të performoj në Prishtinë, nuk ka ndjenjë më të mirë, energjinë që ma jep, mezi pres me i ndje ato emocione para se të dalë në skenë”, është shprehur ajo.

Mes tjerash, 26 vjeçarja, përmendi edhe liberalizimin e vizave, për të cilin tha se të rinjtë duhet të kenë sa më shumë mundësi të vizitojnë Evropën.

“Mendoj që kemi shumë mundësi që mund të zgjerohemi në botë, shpresoj që të kemi liberalizimi të vizave dhe të depërtojmë në Evropë dhe me promovimin e festivalit të sjellim këtë energji pozitive dhe historinë e bukur të vendit tonë dhe të kemi mundësinë ta bëjmë këtë sa më shpejt”, ka thënë ajo.

J Balvin, Skepto e Diplo, Ledri, Kida, Dafina Zeqiri, etj., janë vetëm disa nga emrat që do të performojnë këtë vit në Sunny Hill Festival.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore