Muzikë

Dua Lipa fiton dy çmime në “Brit Awards”, e uron edhe Presidentja Vjosa Osmani


Këngëtarja e famshme shqiptare Dua Lipa ka dominuar në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në “Brit Awards”, në mbrëmjen më të madhe muzikore të ndarjes së çmimeve në Mbretërinë e Bashkuar.

Dua u shpall fituese e dy çmimeve mjaft të rëndësishme. Fillimisht fitoi çmimin “Artistja më e mirë solo e vitit”, e më pas fitoi një nga çmimet më të rëndësishme të mbrëmjes, për “Albumin më të mirë të vitit”, për albumin “Future Nostalgia”.

Menjëherë pasi fitoi çmimin e parë mbajti një fjalim, Dua arritjen e saj i’a dedikoi të gjithë punëtorëve shëndetësore, për punën e palodhur të bërë gjatë pandemisë.

“Këtë trofe dua ta ndajë me Dame Elizabeth Anionwu, e cila është profesoreshë e infermierisë në Universitetin e Londrës Perëndimore,” u shpreh Dua Lipa në fjalimin e saj në Brit Awards.

Lipa shfrytëzoi rastin që edhe t’i dërgojë një thirrje kryeministrit britanik, Boris Johnson, për një rritje page për personelin shëndetësor, në nderë të punës që kanë bërë gjatë gjithë situatës pandemike të shkaktuar nga COVID-19.

“Është shumë mirë të flasësh për ta, por ne duhet t’i paguajmë,” u shpreh Dua Lipa.

E lumtur për këtë arritje të këngëtares u shpreh edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e uroi Duan përmes një statusi në rrjetin social Twitter.

“Urime yllit tonë për dominimin në Brits 2021 natën e kaluar! Albumi i saj i fundit erdhi në një kohë të vështirë për shumë njerëz dhe ajo meriton mirënjohje për gëzimin që muzika e saj ka sjellë në të gjithë botën. Me dashuri nga Kosova”, ka shkruar Vjosa Osmani në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore