Muzikë

Dua Lipa e Bebe Rexha, pjesë e nominimeve të “MTV VMA 2023”


Mediat rozë janë pushtuar nga publikimi i nomimimeve për ceremoninë e sivjetme të MTV Video Music Awards.

Në mesin e shumë artistëve më të suksesshëm të momentit, pa u nominuar nga mbeten as këngëtaret me origjinë shqiptare, Dua Lipa e Bebe Rexha.

Kësisoj, Lipa është nominuar gjithsej në dy kategori të “MTV VMA 2023”, në atë të “Këngës më të mirë pop” si dhe për “Këngën me koreografinë më të mirë” të realizuar nga Charm La’Donna – që të dy nominimet shkojnë për këngën “Dance the night”.

Edhe Bebe Rexha e ka siguruar emrin e saj brenda nominimeve të kësaj ceremonie amerikane, derisa këtë sukses ia solli kënga “I’m Good (Blue)”, të cilën ajo e solli në bashkëpunim me artistin francez, David Guetta.

Dyshja, Rexha e Guetta janë nominuar në kategorinë “Bashkëpunimi më i mirë”.

Përndryshe, siç edhe pritej, këngëtarja Taylor Swift ka kryesuar me nominimet e këtij viti me tetë sosh në kategori të ndryshme, duke përfshirë “Artisten e vitit”, “Videon e vitit” dhe “Këngën e vitit”.

Po ashtu, Nicki Minaj, Doja Cat, Kim Petras, Miley Cyrus, Olivia Rodrigo dhe Sam Smith morën nga pesë nominime, ndërsa Blackpink, Diddy dhe Shakira secili rezervuan nga katër sosh.

Evenimenti i VMA të MTV do të zhvillohet të martën e 12 shtatorit të këtij viti, dhe do të transmetohet drejtpërdrejt nga Qendra Prudential në Newark të New Jersey.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore