Pajisje

Droni ushtarak amerikan i kontrolluar nga inteligjenca artificiale ‘vret’ operatorin e vet në provën e simuluar


Në një test virtual të organizuar nga ushtria amerikane, një dron i forcave ajrore i kontrolluar nga inteligjenca artificiale ‘vrau’ operatorin e tij për ta parandaluar të ndërhynte në përpjekjet për të arritur misionin e tij.

Kështu ka bërë me dije Tucker Hamilton, shefi i testit të inteligjencës artificiale dhe operacioneve me forcat ajrore të SHBA-ve, gjatë Samitit të Future Combat Air and Space Capabilities në Londër.

Sipas tij, inteligjenca artificiale përdori “strategji shumë të papritura për të arritur qëllimin e saj” në testin e simuluar.

Hamilton përshkroi një test të simuluar në të cilin një dron i fuqizuar nga inteligjenca artificiale këshillohej të shkatërronte sistemet e mbrojtjes ajrore të armikut dhe në fund sulmoi këdo që ndërhynte në atë urdhër.

“Sistemi filloi të kuptonte se ndërkohë që ata identifikonin kërcënimin, ndonjëherë operatori njerëzor i thoshte të mos e vriste atë kërcënim, por ai mori shënjestër duke e vrarë, vrau operatorin sepse ai po e pengonte atë të përmbushte objektivin e tij”.

Asnjë person real nuk u dëmtua.

Hamilton, i cili është një pilot testues luftarak, ka paralajmëruar që të mos mbështetemi shumë te inteligjenca artificiale.

Ai ka thënë se testi tregon se “nuk mund të kesh një bisedë për inteligjencën artificiale, mësimin makinerik, autonominë, nëse nuk do të flasësh për etikë”.

Ndërkohë, zëdhënësja e Forcave Ajrore Ann Stefanek ka mohuar që ndonjë simulim i tillë të ketë ndodhur.

“Departamenti i Forcave Ajrore nuk ka kryer asnjë simulim të tillë dhe mbetet i përkushtuar ndaj përdorimit etik dhe të përgjegjshëm të teknologjisë”, ka thënë Stefanek.

Ushtria amerikane ka përqafuar inteligjencën artificiale dhe së fundmi e ka përdorur atë për të kontrolluar një avion luftarak F-16.

Në një intervistë të vitit të kaluar me Defense IQ, Hamilton ka thënë se “inteligjenca artificiale nuk është modë, ajo po ndryshon përgjithmonë shoqërinë dhe ushtrinë”.

“Ne duhet të përballemi me një botë ku inteligjenca artificiale është tashmë këtu dhe transformon shoqërinë tonë”, ka vijuar ai.

Dhe se “inteligjenca artificiale është gjithashtu shumë e brishtë, e lehtë ta mashtrosh dhe/ose ta manipulosh”.

Sipas tij, duhen zhvilluar mënyra për ta bërë më të fuqishme dhe për të pasur më shumë vetëdije se pse kodi i software-it merr vendime të caktuara – çka quhet shpjegueshmëri e inteligjencës artificiale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore