Lajme

Dronët godasin magazinën ushtarake në Iran


Një godinë e Ministrisë së Mbrojtjes iraniane, e cila shërben si magazinë ushtarake, është goditur gjatë orëve të natës nga dronë të pajisur me bomba.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin qendror të Isfahan-it, duke shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në ndërtesën e Mbrojtjes dhe duke ngritur sërish tensionet brenda Republikës Islamike.

Vetë autoritetet iraniane kanë qenë raportuese të asaj çfarë ndodhi, duke dhënë edhe detaje, por jo thelbësore.

Ngjarja është mbajtur në profil të ulët ende, pavarësisht situatës tepër të rënduar në Iran.

Mbrojtja, i përshkroi rrethanat duke treguar se tre dronë, janë lëshuar drejt godinës. Prej tyre, dy janë interceptuar dhe janë rrëzuar.

I treti ndërkaq, ka arritur ta godasë ndërtesën në mënyrë të suksesshme, duke shkaktuar dëme në pjesën e çatisë.

Asnjë person nuk është lënduar sipas njoftimit zyrtar nga Policia.

Ndërsa, autorësia apo indicie mbi çfarë mund të jetë zanafilla e sulmit, nuk ka.

Muajt e fundit, situata ka qenë e tensionuar si së brendshmi, ashtu edhe së jashtmi në Iran.

Izraeli është akuzuar disa herë për sulme kundrejt Republikës Islamike, pikërisht të ndërmarra përmes dronëve.

Kjo, pas kolapsit lidhur me një marrëveshje të re bërthamore me SHBA-të, e cila nuk është arritur me Iranin.

Tensione të shtuara ka pasur edhe me fqinjët e Azerbajxhanit Irani, pas sulmit me armë që iu bë ambasadës azere në Teheran, nga një person, duke lënë të vrarë shefin e sigurisë dhe duke plagosur dy të tjerë.

Mbi të gjitha, Irani është akuzuar edhe për faktin se ka furnizuar Rusinë me dronë kamikazë, të cilët kanë shërbyer në fushatën e pushtimit të Ukrainës.

Sipas rrjetit të njohur saudit të transmetimit, Al Arabiya, duke cituar burime të tyre, SHBA-të mund të jenë të përfshira në gjithë këtë ndodhi, së bashku me një shtet tjetër partner.

Ndërsa, sipas medias izraelite, Jerusalem Post, përkundër nga sa përshkruhet prej autoriteteve iraniane, sulmi ka pasur një “sukses të madh” dhe ka shkaktuar dëme të shumta.

Së brendshmi, problemet e mëdha me protesta të vazhdueshme vijojnë, që prej shtatorit 2022, pas vdekjes së një vajze kurdë 22-vjeçare, Mahsa Amini, e cila u dhunua barbarisht nga Policia e Moralit.

Demonstratat u bënë shumë të dhunshme dhe të përgjakshme, ku në disa muaj, mbi 500 persona kanë mbetur të vdekur, mes të cilëve edhe rreth 70 fëmijë.

Dhjetëra efektivë të Policisë po ashtu, kanë gjetur vdekjen gjatë protestave iraniane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore