Sport

Drejtuesit e Arsenal-it janë gati t’ia plotësojnë dëshirën Arteta-s


Skuadra e Arsenal-it po kalon në formë shumë të mirë. Momentalisht ata janë lider në Premier Leauge, me tre pikë më shumë se Manchester City i vendit të dytë.

Ky sukses po i atribuohet edhe trajnerit të londinezëve, Mikel Arteta-s, i cili po bën një punë të mirë me ekipin e tij.

Tani drejtuesit e klubit janë gati t’i plotësojnë trajnerit të tyre një dëshirë që e kishte prej kohësh.

Bëhet fjalë për futbollistin e Leicester-it, Youri Tielemans, të cilin Arteta e dëshiron ta ketë në ekip.

Belgu ishte në “radarin” e “topçinjve” edhe gjatë afatit kalimtar të verës, por Leicester nuk hoqën dorë nga lojtari duke pasur kërkesa shumë të larta financiare.

Tani, historia ka ndryshuar. “Dhelprat” po vuajnë në këtë edicion dhe është një prej skuadrave favorite për të rënë nga Premier Leauge dhe sipas mediave angleze, Tielemans nuk është i lumtur me skuadrën e tij aktuale.

Mediat angleze bëjnë me dije se kontaktet midis trajnerit Arteta dhe belgut vazhdojnë dhe Youri është i hapur për këtë transferim dhe e dëshiron diçka të tillë.

Por, nga ana tjetër belgu është shpresa më e madhe që Leicester kanë për të shpëtuar sezonin.

Një gjë pozitive në anën e Arsenal-it është edhe që belgut i skadon kontrata me Leicester-in në verën e ardhshme dhe momentalisht nuk ka sinjale pozitive që palët të nënshkruajnë tjetër marrëveshje.

Në këtë mënyrë, Leicester ka dy zgjidhje: Ta shesë në këtë afat kalimtar të dimrit, apo ta humbë me parametra zero në verën e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore