Kosova

Drejtori i AKI-së raporton për situatën në Veri me dyer të mbyllura në Komision


Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, është duke raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen rreth situatës së 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri tashmë i shpallur hero nga institucionet Afrim Bunjaku.

Raportimin Ajeti është duke e bërë me dyer të mbyllura.

Edhe në muajin nëntor të 2022, ai për situatën në Veri kishte raportuar me dyer të mbyllura, atëherë kur dhanë dorëheqjë policët, gjykatësit, prokurorët dhe deputetë të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.

Ndërsa tani një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhet prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetarin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.

Banjskë, Zveçan.

Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiçi i armatosur në Banjskë.

I njëjti më pas në një konferencë për media nga avokati i tij kishte pranuar se kishte qënë pjesëmarrës në këtë sulm terrorist në Banjskë.

Më pas, ministri i Brendshëm, publikoi një fotografi të një terroristi të vrarë dhe një dokument duke faktuar përfshirjen e Serbisë në rastin e sulmit të grupit terrorist.

Dokumenti, sipas tij vërteton, që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit terrorist lansuesin e granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

Ndërsa fotografia i publikuar nga Sveçla, dëshmon se njëri nga terroristët serbë të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës të dielën ishte truproja e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandër Vulin, gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2013.

Shtetet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore