Kosova

Drejtimi specialistik i shëndetësisë që po vdes në Kosovë – kanë mbetur veç edhe 20 mjekë specialistë të kësaj fushe, shumica afër pensionit


Ilustrim.

Ekziston një specializim në mjekësi që njihet si “Mjekësia e Punës”.

Është një nga specializimet më të rëndësishme dhe për faktin se shërbimet jepen jashtë qendrave spitalore.

Specializantët e Mjekësisë së Punës janë edhe ekspertë të legjislacioneve dhe ndihmojnë punëtorët në ambientet e punës, përtej lëndimeve fizike. Këta ekspertë shpesh janë konsulentët kryesorë të trupave internacionalë e shtetërorë për hartimin e ligjeve të ndryshme për punëtorë dhe për sigurinë në punë, për kualifikimet fizike të punëtorit në përballimin e një pune të caktuar dhe merren edhe me shumë elementë të tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen e shëndetit në vendin e punës.

Në Kosovë ky term, “Mjekësi e Punës”, pothuajse nuk njihet fare, për kundër se kaq i rëndësishëm.

Kjo sepse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ky specializim nuk është hapur qysh nga paslufta. Ka më shumë se dy dekada që në QKUK nuk mund të bësh Specializim në Mjekësi të Punës.

Nga gjithsej 4 mijë e 800 mjekë sa janë në Kosovë, vetëm 20 prej tyre janë të specializuar në këtë fushë.

Edhe këta 20, siç tregon Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një bisedë për Albanian Post, janë pothuajse afër pensionimit.

“Nuk e di përafërsisht se a kemi mjekë të punës edhe sa e di unë dy prej tyre janë të pensionuar, por që tani janë thirrur mbrapa që të ndihmojnë në këtë aspekt”, thotë ai.

“Fatkeqësia është që para disa viteve është hequr si specializim, mjekësia e punës në anën tjetër me ligjin e ri të Shëndetësisë i cili është në plotësim-ndryshim kërkohet që vërtetë të shtohen shërbimet sa i përket kësaj lëmie”.

Ilustrim: Mjekët e punës gjatë detyrës

Nevojën e këtyre profesionistëve të kësaj fushe ai e sheh si urgjente.

“Është shumë e nevojshme pasi që çdo ditë e më shumë ka nevoja konkrete, duke filluar nga rrezikshmëria në vendin e punës deri te pasojat e punës. Duhet të ketë përkufizim të një liste jo vetëm në shëndetësi, por edhe në fusha të tjera”.

“Sa kam informacion unë as këtë vit nuk është hapur aplikimi për këtë drejtim”.

Profesione të tjera angazhohen për të kryer mjekësinë e punës

Ish drejtori i Institutit të Mjekësisë së Punës në Gjakovë, Luan Nagavci, tregon për Albanian Post se edhe pse me profesion tjetër është angazhuar që të kontribuoj në këtë drejtim.

“Unë jam neurolog me profesion por që nga fillimi i karrierës time kam punuar edhe në mjekësinë e punës”, thotë Nagavci.

Si njohës i kësaj fushe, pohon se Kosova gjithmonë është përballur me telashe të mjekësisë së punës.

“Vendi ynë ka pasur gjithmonë problem me mjekësi të punës, te ne ka qenë 1 specialist, në 2010 është pensionuar, ka qenë i vetmi në atë kohë, pastaj me kohë është marrë një doktor tjetër, i cili për fat të keq ka ndërruar jetë, kurse vitet e fundit e kemi pasur një angazhim të jashtëzakonshëm me gjetë mjekë të punës dhe më në fund e kemi gjetur një në Pejë, i cili është angazhuar me gjysme orari që të na del neve ne ndihmë”.

Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë.

Ai shton se kërkesa drejtuar institucioneve për përmirësim në këtë drejtim nuk kanë munguar asnjëherë.

“Vazhdimisht, ndoshta 10-15 kërkesë i kemi dërgu në Ministri të Shëndetësisë e SHSKUK për mjekë të punës”.

Mjekët pa interes në këtë drejtim

Albanian Post, ka kontaktuar edhe Ministrinë e Shëndetësisë për këtë problematikë të shëndetësisë.

Të njëjtit përmes një përgjigje me shkrim kanë thënë se kanë ndarë vende për këtë drejtim.

“Në konkursin e fundit të specializimeve 2020-2021, MSh ka ndarë pesë vende për specializime në Mjekësi të punës. Specializantet kanë nisur programin e shkollimit specialistik në mars 2021”.

Sipas tyre, një numër kaq i limituar është bërë për shkak të mosinteresimit të mjekëve.

Ministria e Shëndetësisë.

“Do të ndaheshin edhe me shume vende sigurisht, por interesimi i mjekeve ka qene për kaq vende”.

Si zgjidhje e kanë gjetur që të angazhojnë specializantë të fushave të tjera në këtë drejtim.

“MSH do të reformojë procesin e specializimeve me qëllim që specializimet në të ardhmen t’u përgjigjen nevojave të sistemit shëndetësor dhe arritjeve profesionale në mjekësi. Që nënkupton se nëse ka kërkesa dhe nevoja, mund të jepen specializime të tjera për këtë fushë”.

Çka është Mjekësia e Punës?

Mjekësia e punës, fokusohet në trajtimin e lëndimeve dhe sëmundjeve të lidhura me punën.

Mjekët e trajnuar në mjekësinë e punës diagnostikojnë dhe trajtojnë lëndimet e lidhura me punën në mënyrë shumë më efektive se shumica e mjekëve të kujdesit parësor.

Ata janë të përditësuar mbi rregulloret  shtetërore për shëndetin dhe sigurinë e fuqisë punëtore, duke përfshirë Administratën e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, Departamentin e Transportit, në mënyrë që të mund të bëjnë trajtimin më të mirë.

Ilustrim.

Mjekët e mjekësisë së punës shpesh punojnë drejtpërdrejt me punëdhënësit për të mbajtur bizneset në funksionim dhe punonjësit të sigurt dhe të shëndetshëm në punë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, objektiva të mjekësisë së punës janë: ruajtja dhe promovimi i shëndetit të punëtorëve, përmirësimi i kushteve të punës dhe mjedisit të punës, si dhe zhvillimi i organizimit të punës dhe kulturave të punës.

Çdo vit, 12.2 milionë njerëz, kryesisht në vendet në zhvillim, vdesin nga sëmundje jo të transmetueshme, derisa janë ende në moshë aktive pune.

OBSH vazhdimisht u bën thirrje vendeve që të zhvillojnë politika kombëtare dhe plane veprimi për shëndetin në punë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore