Shqipëria

Drejtësia shqiptare: Apeli i GJKKO-së, rrugë pa kthim


Nga e majta, ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, ish-gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ish-prokurori i Vlorës, Maksim Sota

Prej institucioneve të drejtësisë shqiptare, ajo që thotë “fjalën e fundit” tregon edhe rrugën e fundit që merr zyrtari i cili po gjykohet.

Të njëjtin fat si “të tjerët”, në bankën e të akuzuarve pati dhe ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, ndaj të cilit qëndroi masa e njëjtë, ajo e arrestit me burg.

Gjykata e Apelit pranë Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) po kthehet në një rrugë pa kthim për të gjithë të dënuarit e drejtësisë shqiptare.

Tushe, kryebashkiaku i përfshirë në afera korruptive dhe me akuzën e shpërdorimit të detyrës, kishte dërguar në adresë të gjykatës kërkesën për lirim me kusht, për shkak të arsyeve shëndetësore.

Fatos Tushe pretendon në kërkesën e tij se vuan nga sëmundje të zemrës, diabet, gurë në tëmth, si dhe është alergjik ndaj ushqimeve specifike. Më tej, ai u shpreh i gatshëm që të paguante lirimin me kusht në mënyrë që të dilte nga burgu.

Por, kjo kërkesë u rrëzua për Tushen dhe masa mbeti e njëjtë edhe për zyrtarët e tjerë të Bashkisë Lushnjë.

Tushe, së bashku me zyrtarët e tjerë, u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të hënën e 6 korrikut.

Enkelejda Hoxha

Të njëjtin fat pati dhe ish-gjyqtarja, Enkelejda Hoxha, së cilës Gjykata e Posaçme e Apelit, ia refuzoi tre herë kërkesën për ndryshim të masës, duke lënë në fuqi masën “arrest me burg”.

Avokati mbrojtës i Hoxhës, më herët gjatë seancave të saj paraqiti një raport shëndetësor të fëmijës së saj, por që Apeli nuk e mori parasysh.

Ish-gjyqtarja kërkoi që të ndryshohej masa e arrestit me burg, në mënyrë që të kujdesej për djalin dhe babain e saj të sëmurë.

Shtatë janë kërkesat që Gjykatat kanë refuzuar ndryshimin e masës për ish-gjyqtaren Hoxha. Apeli po e refuzon për të tretën herë, ndërsa ka pasur dhe katër të tjera në Shkallën e Parë.

Arrestimi i saj ka ardhur pasi, nga hetimet disa mujore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), rezultoi se ajo kishte liruar nga burgu persona të njohur të botës së krimit kundrejt miliona eurove në shkëmbim të lirisë.

Edmond Kariqi

Prokurori i Kukësit, Edmond Kariqi është zyrtari i rradhës që është përballur pa sukses me Gjykatën e Posaçme e Apelit, pasi më 19 korrik, institucioni la në fuqi masën arrest me burg ndaj tij.

Kariqi, së bashku me shoferin Isuf Gegën, u arrestuan të mërkurën e 30 qershorit pas një operacioni policor në qytetin e Kavajës.

Ish-prokurori kishte apeluar masën që vendosi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të shtunën e 3 korrikut, duke kërkuar nga Apeli ndryshim të masës.

GJKKO-ja vendosi masën “arrest me burg” për Kariqin dhe shoferin e tij.

Sipas njoftimit zyrtar nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), Kariqi u arrestua nën akuzën e “Korrupsionit aktiv të kryer në bashkëpunim” si edhe të “Korrupsionit pasiv”.

Maksim Sota

Prokurori i Vlorës, Maksim Sota në përballjen me Apelin e GJKKO-së, kërkoi zëvendësimin e masës “arrest shtëpie”, për shkak të arsyeve shëndetësore, por kjo masë nuk u ndryshua as më 18 korrik.

Masa “arrest shtëpie” ndaj Sotës ishte dhënë më herët, më 4 korrik nga GJKKO-ja.

Arrestimi i ish-prokurorit Sota, u krye falë operacionit të bashkërenduar ndërkombëtar mes SPAK-ut dhe Antimafias italiane të titulluar “Shpirti”.

Gjatë operacionit u arrestuan 28 persona nga 38 urdhra-arreste. Përfshirë këtu ish-prokurorin Sota dhe një ish-oficer policie.

Autoritetet shqiptare bashkërenduan punën në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë, në të cilat u lëshuan 38 masa arresti.

Operacioni u ngrit kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore