Shqipëria

“Drejtësi për Liridonën”, Protestë para Ambasadës së Kosovës në Tiranë


Dhjetëra qytetarë kanë protestuar para Ambasadës së Kosovës në Tiranë pas vrasjes së 30-vjeçares Liridona Ademaj në Prishtinë.

Qytetarët mbajnë pankarta në duar dhe fotografi të viktimës.

Protestës iu bashkua edhe ambasadori i Kosovës, Skënder Durmishi.

“Unë dola t’iu takoj para derës së ambasadës. Është një iniciativë njerëzore dhe të falënderoj për ndjesinë që tregoni për një rast që ka tronditur Kosovën që është e shtanguar dhe në shok të vërtetë. Protesta juaj është për t’u përkrahur dhe thirrjet tuaja për drejtësi për Liridonën dhe për çdo grua. Drejtësia të thotë fjalën e vet për një krim kaq monstruoz siç ndodhi me Liridonën”, tha ai.

Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, dy të dyshuarit për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj, të mërkurën e 29 nëntorit, në rrugën “Dalip Alshiqi” në kryeqytet, janë mbrojtur në heshtje në seancën e parë para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të dielën e 3 dhjetorit.

Skënder Gojani, avokati i dorasit të identifikuar nga Policia e Kosovës, pas seancës së mbajtur të dielën, ka thënë shkurt para gazetarëve se klienti i tij është mbrojtur në heshtje, ndërsa Ahmet Gjinovci, avokati i të dyshuarit tjetër për pjesëmarrje në vrasje, nuk është deklaruar për media.

As avokati i bashkëshortit të viktimës, Naim Murseli, i cili dyshohet për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, nuk është deklaruar për media pas përfundimit të seancës gjyqësore e cila nisi të dielën në orën 09:30 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, por ka qenë e mbyllur për mediat.

Familjarët e 30-vjeçares nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë. Leonard Ademaj, vëllai i viktimës, ka thënë se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës. Ai ka shprehur shpresën se autoritetet kosovare do të vendosin drejtësinë në vend.

Ai ka njoftuar se familja Ademaj i ka dorëzuar kërkesë prokurores së rastit për zhvarrosjen e trupit të viktimës nga Cermjani i Gjakovës dhe rivarrosjen afër varrezave të shtëpisë së prindërve në fshatin Rracaj, derisa ka bërë thirrje që kërkesa të aprovohet sa më shpejtë.

Kjo ngjarje e rëndë ka ngjallur shumë reagime, përfshirë nivelet e larta shtetërore dhe shoqërinë civile për shkak se krimi ka ndodhur pikërisht në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata kundër dhunës ndaj gruas.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka thirrur protestë për të martën e 5 dhjetorit në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë kundër dhunës gjinore dhe femicidit, kundër një shoqërie të zhytur në krim simptomatik ndaj grave. Në Kosovë janë raportuar mijëra raste të dhunës në familje gjatë këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore