Shqipëria

Drafti i Ramës për Asociacionin, Hovenier: Serioz dhe i menduar, s’kemi mungesë të ideve të mira


Jeff Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka komentuar angazhimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili para disa ditëve ua ka propozuar kancelarive evropiane edhe një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Në një intervistë për televizionin “Klan Kosova”, diplomati amerikan ka bërë me dije se e ka lexuar dokumentin e përpiluar nga ekspertët ndërkombëtarë me nismën e kreut të qeverisë shqiptare, ndërsa duke u nisur nga përshtypjet e para, ka thënë se propozimi është “serioz dhe i menduar mirë”.

“Propozimi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe që Rama e ka prezantuar është serioz dhe i menduar mirë, por ka shumë ide dhe mënyra se si mund të bëhet. Është një propozim i bërë nga Friedrich Ebert Foundation, që ishte gjithashtu serioz dhe i realizuar me kujdes. S’kemi mungesë të ideve të mira se si mund të bëhet kjo”.

Ambasadori amerikan edhe njëherë ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe jashtë kornizës kushtetuese dhe që nuk është në pajtueshmëri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ambasadori Hovenier.

“Gabriel Escobar dhe Derek Chollet e bënë shumë të qartë se nuk do të ketë autoritet ekzekutiv, jo nivel të tretë të qeverisjes, jo model si të Republikës Serbe. Ne nuk do ta përkrahim këtë. Ka mënyra për ta bërë këtë, që u përgjigjen shqetësimeve të komunitetit dhe natyrisht i mirëpresim idetë e njerëzve të tjerë se si të bëhet kjo”, shtoi ai.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet propozimi i draft-statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se e ka hartuar ekzekutivi kosovar, por – për arsye të panjohura – nuk po duan ta publikojnë.

Kosovës po i kërkohet që të fillojë urgjentisht zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjese Bazë për normalizmin e marrëdhënieve me Serbinë, me të cilën parashihet një “nivel i përshatshëm i vetëmenaxhimit/vetëqeverisjes” për komunitetin serb në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e përshkruajnë këtë si “detyrë urgjente” për Kosovën dhe një ndër “hapat ekzistencial” për aspiratat euro-atnantike të Kosovës. Tash, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po pritet hartimi i një draft-statuti për këtë pajisje për serbët e Kosovës.

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe vlerësohet të jetë një mekanizëm i madh për serbët – pas votës së kualifikuar, që për çështjet që prekin interesat e tyre, është një lloj vetoje – porse, atë po e kërkon një “palë e tretë” nën kontrollin e tij, me idenë e interferimit në një sistem të brendshëm.

Autoritetet kosovare kanë frikë jo për atë që paraqet legalisht ky instrument, mirëpo për faktin se çfarë ai mund të paraqesë në të ardhmen, gjatë implementimit praktik, me theks të veçantë, nga frika e krijimit të një modeli të ri të Republikës Serbe – entiteti serb në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Lajçak për angazhimin e Ramës në dialogun Kosovë-Serbi: Zëri i tij është mjaft autoritativ, investoi shumë për të gjetur zgjidhje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore