Kosova

Dosja e plotë: Si u korruptuan policët e arrestuar – “karamelet i ke në pasaportë; ta pafsha hajrin e t’u rritë nera o burrë”


“Karamelet i ke në pasaportë, o ta pafsha harjin, t’u rritë nera o burrë”, erdhi ky milioneri”.

Ky ishte komunikimi mes zyrtarëve policorë dhe qytetarëve që po i korruptonin prej muajit gusht deri në dhjetor të vitit 2021, duke pranuar ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë në pikë-kalimet kufitare në Qafë Prushë dhe Qafë Morinë.

Kështu thuhet në dosjen prej 53 faqeve të Prokurorisë Speciale të siguruar nga Albanian Post ndaj 48 zyrtarëve policorë të cilët u arrestuan nga Inspektorati Policor i Kosovës më 14 mars si të dyshuar për marrje të ryshfetit.

Sipas dosjes, të pandehurit Xh.H dhe S.M, gjatë muajit shtator të vitit 2021 i drejtohen një qytetari “more S… çka janë këto dollar a, po na dollar nuk kemi pa kurrë”.

Ndërkaq në muajin tetor të vitit 2021 zyrtari poicor H.P në Qafë Morinë zhvillon një bisedë me kolegun e tij të cilit i tregon se ka biseduar me dikën, dhe më së voni deri në ora 6 vjen një mik i një personi me emrin N… i cili pasaportën e ka të veten, por i ka dy me dokumente franceze e mos me e regjistru dhe tha se ”karamelet i ke në pasaportë”.

Ndërsa gjatë muajit tetor të vitit 2021, polici H.P pasi e regjistron veturën në Qaf Morinë i thotë një personi “T’u rritë nera o burrë”.

Po këtë muaj, polici tjetër S.K me kamion i pranon paratë nga një person derisa i thotë “o ta pafsha hairin”, parat i heq nga dokumentet dhe i fut nën këmbë.

Në dosje po ashtu janë dhjetëra raste kur zyrtarët policorë dyshohet se janë korruptuar duke i lejuar qytetarët të lëvizin drejt Shqipërisë duke transportuar mallra të ndryshme.

Ndërkaq sipas kërkesë së prokurorisë drejtuar gjykatës për t’ia caktuar masën e paraburgimit të dyshuarave, thuhet se “nga hetimet ka rezultuar se fenomeni i marrjes së ryshfetit është aq i përhapur saqë le përshtypjen se pika kufitare nuk është institucion shtetëror, por një zonë private”.

Madje sipas organit të akuzës, të pandehurit kanë vepruar më shumë si “inkasant” për nevojat e tyre personale, sesa si persona zyrtarë.

“Në disa raste shumat arrijnë deri në 400 euro”.

Më 14 mars, 50 zyrtarë shtetërorë, 48 prej tyre zyrtarë policorë dhe dy zyrtarë doganorë janë arrestuar në kuadër të operacionit “Pika”, nga operacioni i Prokurorisë Speciale dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.

Në një konferencë për media Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, pati thënë se aktvendimi është marrë për gjithsej 68 persona të dyshuar për vepra penale “marrje të ryshfetit”, por disa janë në arrati pasi nuk janë shtetas të Kosovës.

Aleksandër Lumezi

“Sot janë arrestuar 50 persona ndaj të cilëve janë konfiskuar telefonat mobilë që do të na shërbejnë në procedurën penale”, tha Lumezi.

Sipas tij, “me urdhër të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale kemi angazhuar dy prokurorë për këtë rast”.

“Gjatë fazës së hetimeve kemi përdorur shumë mjete të hetimit dhe vëzhgimit të fshehtë për të siguruar prova të mjaftueshme se po kryhen vepra penale të marrjes së ryshfetit në pika doganore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore