Shqipëria

Dosja e Gërdecit, Mediu kërkon ripërsëritjen e akt-ekspertimit të dëmit ekonomik


Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme të ripërsërisë pjesërisht akt-ekspertimin e dëmit ekonomiko financiar të çështjes “Gërdeci”.

Sipas avokatëve mbrojtës të ish-ministrit, ekspertët nuk kanë marrë parasysh një shkresë të Kombinatit mekanik të Poliçanit, të vitit 2007, ku përllogariten kostot e demontimit të municioneve.

Kjo duke i konsideruar të dhënat e saj të falsifikuara.

Henrik Ligori – avokati i Mediut – i tha Gjykatës se mbi dyshimet për falsifikim janë kallëzuar penalisht tre zyrtarë të Kombinatit, por më pas gjykata e Beratit, ajo e Apelit Vlorë dhe Gjykata e Lartë kanë pushuar akuzën ndaj tyre.

“Në këto kushte, të dhënat e shkresës në fjalë kanë qenë të sakta”.

Edhe në seancën e fundit, pala mbrojtëse kërkoi nga ekspertët të përcaktonin përgjegjësinë e Mediut në lidhje me dëmin ekonomik që i është shkaktuar shtetit – ndërkohë që prokurorët kërkuan që pyetjet të ishin më specifike dhe të lidheshin me materialet.

Ekspertët nga ana tjetër kërkuan kohë për t’ju përgjigjur pyetjeve.

“Nuk mund t’i përgjigjemi pyetjeve për një akt që e kemi bërë 17 vjet më parë 5 vetë, secili në kokë të vet”, tha eksperti Bexhet Zeqiri, aktualisht punonjës i KLSH-së.

Avokatët e Mediut vijuan më tej duke bërë të qartë se s’mund të bëjnë pyetje kur treçereku i tyre nuk pranohet.

Prokurori Klodian Braho sugjeroi po ashtu që ekspertëve t’u jepej më shumë kohë.

Në seancën e fundit, avokatët e Mediut kërkuan të kryhet një akt i ri ekspertimi financiar me pretendimin se ekspertët kanë qenë të palicencuar.

Vetë Mediu ripërsëriti kërkesën për një akt ekspertizë të re.

“Unë ua kam thënë që nuk jam njohur me këtë akt. Kjo situatë tregon tendencën për të na çuar në absurditetet. Edhe zotërinjtë thonë që nuk kanë qenë ekspert të liçencuar. Shoh një tërheqje të prokurorisë, duke insistuar në mos thellim të veprimeve duke marrë për bazë një akt ekspertizë që sështë bërë nga ekspertë. Kërkojmë të bëhet akt ekspertizë e re. Kam kërkuar aktet në prokurori e gjykatë dhe nuk i kam marrë. Nëse duam një proces që s’është thjesht vullnet i njëanshëm i prokurorisë le të bëjmë një debat normal gjyqësor”.

Ndërkaq dy muaj më parë, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar një kërkesë të bërë nga avokatët e ish-ministrit lidhur me një akt të ri ekspertimi ekonomiko-financiar.

Për këtë, Mediu vetë, në një dalje për mediat pas seancës, ka thënë se SPAK është duke kërkuar një “kokë turku” për gjithë ngjarjen.

Fillimisht, avokati i Mediut ka thënë se ekspertët e përzgjedhur për kryerjen e akt ekspertimit, nuk kanë licencë.

Ndërtimi i situatës

Deri më tani GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Mediun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Më 10 janar të vitit të shkuar Mediu u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe deklaroi atë ditë se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.

Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin dhe do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve.

Kjo pasi më 12 tetor bëri me dije se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej, bëhet me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë, të imunitetit do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore