Shqipëria

Dosja 184- Shtyhet sërish seanca e gjykimit, mungon i akuzuari Aga


Seanca gjyqësore për Dosjen 184, të martën e 8 shkurtit, është shtyrë sërish, për shkak të mungesës së të akuzuarit ish-shef i Komisariatit të Policisë Dibër, Robert Aga.

Ai kishte njoftuar më parë se ishte infektuar me COVID-19.

Sot pritej që Aga dhe ish-administrator i Njësisë Administrative Lurë, Hasan Hoti, do të përballeshin me dëshmitarët.

Në seancën e mëparshme të gjykimit, pala mbrojtëse pretendoi që përgjimet të mos merreshin për bazë, por gjykata e hodhi poshtë kërkesën.

Gjykata ka kërkuar që të akuzuarit të përballen me dëshmitarët, por mungesa e Agës ka bërë që kjo gjë që mos realizohet.

Kujtojmë që më 31 janar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), ka pranuar kërkesën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e prokurores pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, Belina Zeneli.

Sipas njoftimit zyrtar të KLP-së, Zeneli rezultoi se kishte zvarritur disa akte procedural përgjatë periudhës 2013-2021.

Dosja 184

Dosja 184, e njohur edhe si dosja e vjedhjes dhe shit-blerjes së votave denonconte zgjedhjet e vitit 2016, në Dibër. Kjo dosje u denoncua nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në përgjime përfshihen edhe deputetë socialistë në biseda me policinë, biznesmenë, persona të dyshimtë dhe të tjerë të paidentifikuar.

Prokuroria ngriti akuza  mbi katër persona për “shpërdorim detyre” dhe “kanosje të zgjedhësve”. Ndërkohë që për pjesën tjetër të personave nën hetim kërkoi pushimin e çështjes për shkak të tejkalimit të afatit trevjeçar nga prokuroria e Dibrës.

Që prej muajit korrik të vitit 2019,  dosja 184  kaloi si “boomerang” nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë e Tiranës.

Më pas kaloi në Prokurorinë e Krimeve  të Rënda Tiranë dhe në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Kjo e fundit nuk pranoi ta shqyrtonte duke ia kaluar sërish në kompetencë Prokurorisë së Dibrës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore