Dorëzohet Serbia: Zgjedhjet nuk mund të organizohen në Kosovë

SHFLETO

Ilustrim

 

Armat Matoshi
23.11.2023 22:08
Loading Icons...

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë (KRZ) ka njoftuar të enjten se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, derisa ka sugjeruar që serbët e Kosovës me shtetësi të dyfishtë dhe me të drejtë vote do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre në jugperëndim të Serbisë, përkatësisht në qytetet që janë afër kufirit të Kosovës – Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Kryetari i KRZ-së, Vladimir Dimitrijeviç, ka thënë të enjten se i kanë dërguar një letër të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë për mënyrat se si mund t’u mundësohet votimi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të planifikuara në dhjetor.

“Ne jemi njoftuar nga zyra se nuk është e mundur të zbatohet një procedurë zgjedhore në Kosovë”, ka thënë Dimitrijeviç, transmeton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, megjithëse anëtari i KRZ-së, Nemanja Stankoviç, ka propozuar që KRZ-ja t’i drejtohet Qeverisë së Serbisë që të mos heqin dorë nga mbajtja e zgjedhje në territorin e Kosovës.

Serbia, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të planifikuara më 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës, sipas të njëjtit model të aplikuar që prej zgjedhjeve të Serbisë në vitit 2017 e tutje, ku votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëse Serbia është e interesuar, duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe lokale të Serbisë.

E kërkesa për marrëveshje speciale, sipas kryeministrit Kurti, duhet të vijë nga Serbia, ndërsa çdo kërkesë nga pala serbe duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

“Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Kosovën, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit”, ka thënë kryeministri Kurti.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të enjten se bashkësia e organizuar ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë në lidhje me vendimin e kryeministrit Kurti për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës pa marrëveshje speciale ndërshtetërore.

“Duhet të jesh i verbër politikisht që të mos e shohësh se çfarë po bën Kurti. Ashtu siç i kam thënë edhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të presim nëse do të lëshojnë ndonjë deklaratë, ku do të thonë se është në kundërshtim me parimet demokratike”, ka thënë ai.

Qeveria e Serbisë nuk ka pranuar të bëjë kërkesë për një marrëveshje ndërshtetërore sipas kushteve të Qeverisë së Kosovës mbi arsyetimin se një marrëveshje e tillë do të përbënte automatikisht njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.