Kosova

Dorëheqja e Rrahman Ramës dhe mali me probleme që Qeveria Kurti krijoi për FSK-në


Gjenerallejtënant Rrahman Rama ka dhënë dorëheqje nga pozita e komandantit të Forcës së Sigurisë të Kosovës. Në vend të tij, komandant i FSK-së është emëruar gjeneralmajor Bashkim Jashari.

Këto zhvillime ndodhën pasi, javën e shkuar, Albanian Post kishte raportuar se kishte dy muaj që po përgatitej shkarkimi i gjenerallejtënant Ramës.

Kërkesa e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, për t’i përdorur automjetet e tipit M1117 ASV, në kundërshtim me marrëveshjen me Departamentin e Mbrojtjes, në operacionin e Policisë së Kosovës në veriun e vendit, ka thyer përfundimisht shtizat.

Albanian Post ka raportuar se si ministri Mehaj, mbrëmjen e 18 shtatorit, në rrugë jozyrtare, i kishte kërkuar gjenerallejtënant Ramës që automjetetet M1117 ASV të lyheshin me ngjyrë të kaltër dhe po në të njëjtën mënyrë atë ia kishte kërkuar edhe atasheut ushtarak të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kolonel Stephen Rose.

Dhe pasi kërkesa e tij ishte refuzuar nga të dy, nga vizita zyrtare që kishte mbaruar në Ankara, përmes aeroportit të qytetit, ministri Mehaj në mëngjesin e 20 shtatorit ka fluturuar drejt Norvegjisë, teksa njësitet elite të Policisë së Kosovës veçse kishin nisur aksionin në veri të vendit.

Pas këtij momenti, shkarkimi i gjenerallejtënant Rrahman Ramës kishte marrë urdhë, për të përfunduar me dorëheqjen e tij të martën e 30 nëntorit 2021.

Por, cili është zinxhiri i ngjarjeve që e çuan gjenerallejtënant Rrahman Ramën drejt dorëheqjes?

Problemet e besimit me Pentagonin: furnizimi me pajisje dhe armatime

Më 30 gusht, Forca e Sigurisë së Kosovës pranoi 55 automjete ushtarake të dhuruara nga Deparartamenti i Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Automjetet e tipit M1117 ASV(Armoured Security Vehicle) u pranuan me ceremoni, në të cilën ushtarëve iu drejtuan presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Mirëpo, kjo është vetëm gjysma e të vërtetës. ASV-të që u pranuan në atë ceremoni nuk i erdhën FSK-së sipas marrëveshjes. Në marrëveshjen midis FSK-së dhe Departamentit të Mbrojtjes parashihej që ato të ishin plotësisht të pajisura (fully equipped) – që do të thotë, përveç tjerash, do të duhej t’i kishin edhe mitralozët 12.7mm dhe ata 40mm. Por, të 55 ASV-të i kanë ardhur FSK-së pa asnjë prej pajisjeve apo armatimeve mbështetëse(body only).

Nga burime brenda Forcës së Sigurisë të Kosovës, Albanian Post ka arritur të marrë vesh se, jozyrtarisht, zyrtarë të Pentagonit u kanë thënë se kjo ka ndodhur për shkak të mosbesimit(trust issues) në udhëheqjen politike të ministrisë së Mbrojtjes.

Po ashtu, për një kontigjent armatimesh që FSK-ja ka pritur ta marrë në fund të pranverës së këtij viti, ka marrë njoftimin se dorëzimi i tij është shtyrë për në vitin 2022, me po të njëjtin arsyetim.

Anulimi i vizitës dhe takimit me zëvendësshefin e Mbrojtjes të Britanisë së Madhe

Nga data 19 deri më 24 nëntor, gjenerallejtënant Rrahman Rama do të duhej të ishte në vizitë në Britaninë e Madhe. Në agjendë ishte përfshirë edhe takimi me gjenerallejtënant Sir Christopher Tickell KBE, zëvendësshef i Mbrojtjes i Britanisë së Madhe.

Por, vizita është anuluar ditën e fundit, para konfirmimit, me arsyetimin që ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, është jashtë vendit dhe nuk ka lënë autorizim për zëvendësministrat, që ata të mund ta konfirmojnë vizitën.

Për anulimin e kësaj vizite, Albanian Post ka dërguar pyetje në Ministrinë e Mbrojtjes, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Po ashtu, është pyetur edhe ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, që në përgjigjen e saj për AP-në, nuk e ka mohuar anulimin e vizitës.

“I takon Qeverisë të Kosovës të vendosë si do të përgjigjet në ftesat për takime specifike, si pjesë e bashkëpunimit midis FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë të Bashkuar”, thuhet, ndër të tjera, në përgjigjen e Ambasadës.

Në të po ashtu vihet theksi tek “bashkëpunimi i qëndrueshëm midis FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Mbretërisë të Bashkuar”. Por, në asnjë pikë, nuk përmenden raportet midis kësaj të fundit dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës.

Pezullimi i bordeve për emërime dhe gradime të ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve – largimet nga FSK

Me urdhër verbal, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dy herë e ka pezulluar punën dhe ka kërkuar shpërbërjen e bordeve për emërimet dhe gradimet e pjesëtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Përmes burimeve brenda FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, Albanian Post ka arritur të mësojë se nuk ka asnjë vendim zyrtar të ministrit Mehaj për këtë çështje, duke e ditur që një i tillë do të ishte në shkelje të plotë të ligjit.

Për pasojë, një numër i oficerëve që kanë qenë në shërbim jashtë vendit dhe janë kthyer me mbarimin e kohë së shërbimit si atashe ushtarak në misionet diplomatike kanë mbetur pa detyrë.

Zakonisht, kur oficerët kthehen nga shërbime të tilla, ata vendosen në të ashtuquajturin “pond” dhe përmes vendimeve të bordeve u caktohen detyrat e reja.

Mirëpo, për shkak të urdhërit verbal të ministrit Mehaj, Kolonel Ilir Qeriqi, që ka shërbyer si atashe ushtarak në misionin diplomatik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kolonel Bekim Osmani që ka shërbyer si atashe ushtarak në Turqi dhe Nënkolonel Beton Retkoceri, që ka shërbyer si atashe ushtarak në Britaninë e Madhe, pas kthimit nga shërbimi, ka gjashtë muaj që janë pa asnjë detyrë.

Rrjedhimisht, tre ushtarakë të lartë, të shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbetur pa detyrë, për shkak të një vendimi verbal e jozyrtar të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Për më tepër, mbi pesëdhjetë oficerë dhe nënoficerë të karrierës e kanë lënë Forcën e Sigurisë së Kosovës këtë vit, numër ky i pashënuar ndonjëherë, që nga themelimi i saj.

Albanian Post, nga burime brenda Forcës së Sigurisë të Kosovës, ka mësuar se tentimi për ndikim politik brenda kësaj trupe ka shtyrë një numër të paprecedent oficerësh dhe nënoficerësh të largohen.

Këto zhvillime kanë bërë që edhe për konkursin e hapur më 21 tetor, për pranimin e 840 ushtarëve të rinj, sipas burimeve të Albanian Post brenda FSK-së, të ketë interesim shumë të vogël për të aplikuar.

Për këtë arsye, afati nga sa ishte i paraparë të zgjaste deri më 11 nëntor, është shtyrë deri më datë 22 nëntor. Krahasuar me konkurset e shkuara, kur numri i aplikantëve shkonte mbi 4 mijë e 5 mijë, kësaj radhe nuk ka arritur as në 2 mijë.

Pezullimi i Rregullores për Pagat, Shtesat dhe Kompensimet tjera dhe dështimi i kontratave të mirëmbajtjes

Më 28 korrik, Qeveria e Kosovës mori vendim që ta pezullojë Rregulloren mbi Pagat, Shtesat mbi pagë dhe Kompensimet tjera në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Me propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për pezullimin e përkohshëm të zbatimit të nenit 22 (Shtojca 1) të Rregullores për pagat, shtesat mbi pagë dhe kompensimet e tjera në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, deri në plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.

Mirëpo, as kërkesa e ministrit Mehaj dhe as vendimi i qeverisë që udhëhiqet nga Albin Kurti nuk kanë qenë në koordinim dhe as në konsultim me komandantin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Nga burime brenda FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, Albanian Post ka arritur të marrë vesh se kjo ka qenë një ndër pikat në të cilat janë përplasur ashpër gjenerallejtënant Rama dhe ministri Mehaj.

Ky vendim i atëhershëm i qeverisë është krejtësisht në kundërshtim me deklaratat e fundit te kryeministrit Albin Kurti, i cili në Ditën e Forcës, në mënyrë implicite premtoi rritje pagash për pjesëtarët e FSK-së.

“E di që kemi shumë çështje dhe sfida, si për shembull puna për motivimin e ushtarëve sepse disa po largohen dhe duhet riparë struktura e FSK-së. Mundësia e gradimit brenda njësisë, rregullimi i pagave dhe mëditjeve, rrezikshmëria në punë për pjestarët aktiv si dhe të ketë vija transporti në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës”, deklaroi Kurti më 27 nëntor.

Përveç kësaj, mbi 40 kontrata të mirëmbajtjes së pajisjeve të Forcës së Sigurisë të Kosovës janë anuluar përmes vendimeve të Ministrisë së Mbrojtjes.

Sipas burimeve brenda FSK-së, asnjë automjet i FSK-së nuk është momentalisht i mbuluar nga një kontratë mirëmbajtjeje. Madje, autobusët me të cilët transportohen ushtarët voziten 20 mijë kilometra përtej kohës së servisit.

Edhe mjetet e blinduara që ka në dispozicion FSK-ja kanë filluar të kenë probleme, për shkak se ka kohë që nuk u është ndërruar vaji i motorit.

Ditëve në vijim, Albanian Post do të raportojë edhe për zhvillime tjera që kanë cenuar funksionimin e brendshëm dhe raportet e Forcës së Sigurisë të Kosovës me partnerët e saj, duke e bërë të pashmangshme dorëheqjen e gjenerallejtënant Rrahman Ramës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore