Libra

“Dora e padukshme e tregut”


“Dora e padukshme e tregut”, është një prej koncepteve më të përfolura, që megjithatë keqkuptohet më shumti, ose edhe nuk kuptohet fare.

Konceptin e “dorës së padukshme të tregut” e fut në tregun e shkencave sociale filozofi dhe ekonoministi i Iluminizmit Skocez, Adam Smith, në veprën e tij “Një Hulumtim mbi Natyrën dhe Shkaqet e Pasurive të Kombeve” (1776).

Ky koncept së pari i referohet një force të padukshme të tregut të lirë, forcë kjo e cila balanson kërkesën dhe furnizimin në veprimet e individëve bashkëpunues që synojnë të përmbushin interesat vetanake të tyre tregtare.

Ky koncept, në thjeshtësinë konceptuale të saj, ka të bëjë me idenë se sikurse natyra që qeveriset sipas ligjeve të saja të fizikës, po ashtu edhe proceset ekonomike kanë ligjet e saja inherente dhe të padukshme.

Shitja dhe blerja, dhe të gjitha aktivitetet transaksionale që janë të formës merr-jep, i nënshtrohen njëfarë force të padukshme të tregut që determinon qëllimet e individëve në treg.

Vëzhgimi i Adam Smith-it është se edhe pse njerëzit janë të vetë-motivuar për të promovuar dhe synuar interesin vetanak të tyre, individët “udhëhiqen nga një dorë e padukshme që të promovojnë qëllime që nuk kanë qenë parësisht qëllime vetanake”.

Pra individi, në tregun e lirë, i nënshtrohet, një sistemi vetë-koordinues dhe vetë-rregullativ ekonomik. Dhe se, përfitimet që individi gjen në tregun e lirë janë shumë më të larta se sa në një treg të kontrolluar, të centralizuar dhe të planifikuar.

Tregu rregullon veten.

Shkëmbimi i lirë i mallrave, bën që burimet të shpërndahen në mënyrën më efikase. Për këtë arsye, ajo që Smith e identifikon si dora e padukshme e tregut, bazohet në atë se kur në ekonomi minimizohet intervenimi, kur të gjithë individët brenda tregut veprojnë në interesin e tyre më të mirë ekonomik, rezultati është një formë ekonomike gjenerale më e mirë.

Në aspektin e tërësisë së funksionalitetit ekonomik, nëse konsumatori është në liri konsumuese në atë se çka dhe sa blen , dhe nëse prodhuesi është në liri prodhuese, si nga sasia, mjetet e prodhimit dhe përcaktimi çmimeve të shitjes, atëherë krejt kjo harmonizon veten në një sistem beneficiar.

Në skemën harmonike vetë-rregulluese të kësaj lirie të tregut, prodhuesi gjen mënyrat e prodhimit më efikase të tij për të ulur shpenzimet e prodhimit dhe të shkurtojë çmimet për të rritur të ardhurat, kurse konsumatori kërkon çmimet më të ulëta të mallrave.

Edhe investitorët investojnë në prodhimtari që kthejnë maksimalisht investimet e tyre.

Që nga Adam e Smith-i e te Marksi, dhe në ditët e sotme, të gjithë ekonomistët kanë trajtuar këtë dorë të padukshme metaforike të tregut, dhe funksionimin ose keqfunksionimin e saj.

Kur sasia e furnizimit është më e madhe se sa kërkesa, rrejdhimisht, çmimet e mallrave bien, dhe anasjelltas, kur furnizimi është më i vogël se kërkesa, çmimet e mallrave ngriten. Sipas kësaj, rrjedhë edhe se sasitë furnizuese në treg janë më të larta në prodhimtaritë ku fitimet kalojnë mesataren, dhe më ulta aty ku fitimet janë nën mesataren.

Koncepti i Smith-it i dorës së padukshme të tregut është për nga modeli teorik njutonian, pasi që i referohet edhe si gravitim, ose tërheqje, që tërhiqet drejt stabilizimit ose vetë-rregullimit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore