Sport

Donnarumma u gjend në presion nga tifozët e Italisë


Gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kombeve, që u zhvillua mes Italisë dhe Spanjës mbrëmjen e kaluar, në stadiumin “San Siro” të Milanos, përfundoi me një episod aspak të këndshëm për portierin italian Gianluigi Donnarumma-n.

Donnarumma u rikthye të luajë në “San Siro” me fanellën e Italisë, por për herë të parë u pa në këtë stadium si një i urryer nga të pranishmit.

Nga rreth 36 mijë tifozë të pranishëm në stadium, shumica prej tyre ishin adhurues të klubit të Milan-it, të cilët nuk e kishin harruar tradhtinë që 22-vjeçari ua bëri duke u larguar nga kuqezinjtë drejt PSG-së me parametra zero, gjatë afatit të fundit kalimtar veror.

Vërshëllima që nga fillimi i ndeshjes dhe një pankartë ku shkruante se “Nuk do të jesh kurrë i mirëpritur”, ishin ato që shoqëruan Donnarummën gjatë 90-minutëshit ndaj Spanjës dhe e shpërqendruan jo pak atë, sidomos në pjesën e parë.

Për të acaruar edhe më shumë situatën, ishte deklarata e ish-trajnerit të Milan-it dhe Italisë, Fabio Capello i cili para ndeshjes kishte thënë se Donnarumma u soll keq ndaj klubit që ia dha mundësinë të bëhej ky që është sot.

Ndërsa trajneri i Italisë, Roberto Mancini, deklaroi se do të ishte më mirë që për një natë të ishin lënë anash urrejtjet, por të mendohej për Italinë.

“Luante Italia dhe nuk ishte një ndeshje klubesh. Mund t’i kishin lënë kontestimet për ndonjë përballje të mundshme mes Milan-it dhe PSG-së. Më vjen keq për atë që ndodhi, pasi luante Italia, që është e të gjithëve”, u shpreh Mancini pas ndeshjes.

Kujtojmë që Italia e humbi ndeshjen me rezultat 1:2 ndaj Spanjës, me golat që u realizuan nga Ferran Torres për mysafirët, ndërsa për vendasit ngushtoi epërsinë Lorenzo Pellegrini.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore