Lajme

Donald Trump – kërcënimi më i madh për republikën – thotë Cheney


Dick Cheney e ka quajtur Donald Trump si “kërcënimin më të madh për republikën tonë”, në fushatën për vajzën e tij, Liz Cheney, e cila kandidon për rizgjedhje në Wyoming.

“Në historinë 236-vjeçare të kombit tonë, nuk ka pasur kurrë një individ që është një kërcënim më i madh për republikën tonë sesa Donald Trump”, tha Cheney, i cili shërbeu si zëvendëspresident për dy mandate nën administratën George W Bush.

Cheney shtoi se Trump u përpoq të vidhte zgjedhjet e fundit duke përdorur gënjeshtra dhe dhunë për të mbajtur veten në pushtet pasi votuesit e kishin refuzuar.

“Ai është një frikacak. Një burrë i vërtetë nuk do t’i gënjejë mbështetësit e tij. Ai humbi zgjedhjet e tij dhe humbi shumë. Unë e di atë dhe thellë brenda vetes mendoj se shumica e republikanëve e dinë atë”.

Cheney vazhdoi të fliste se sa krenar ishte për vajzën e tij “për qëndrimin në këmbë ndaj së vërtetës, duke bërë atë që është e drejtë, duke respektuar betimin e saj ndaj kushtetutës kur kaq shumë persona në partinë tonë janë shumë të frikësuar për ta bërë këtë”.

Ai ka qenë një nga kritikët më të mëdhenj të Trump, duke e akuzuar atë për shkelje të kushtetutës për rolin e tij në kryengritjen e Kapitolit.

Liz Cheney përballet me një betejë të vështirë rizgjedhjeje kundër kandidates së mbështetur nga Trump, Harriet Hageman, e cila pohon se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën.

“Liz Cheney ka harruar prej kohësh se punon për Wyoming (ose ndoshta nuk e dinte kurrë), jo për Demokratët Radikalë”, shkroi Hageman të enjten.

“Wyoming meriton një kongresmene që do të na përfaqësojë ne dhe vlerat tona konservatore. Është koha për të dalë në pension elitarja Liz Cheney”.

Megjithëse Cheney ka të paktën 1 milion dollarë më shumë në donacione për fushatën e saj kundër Hageman, ajo ishte 22 pikë prapa Hageman në një sondazh të korrikut të kryer nga Casper Star-Tribune.

Në një intervistë me “CNN” të enjten, Cheney tha se nuk pret të humbasë më 16 gusht.

“Unë me të vërtetë besoj se njerëzit e Wyoming thelbësisht e kuptojnë se sa e rëndësishme është besnikëria ndaj kushtetutës – kuptojnë se sa e rëndësishme është që ne të luftojmë për ato parime themelore mbi të cilat bazohet gjithçka tjetër”, shtoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore