Lajme

Dom Phillips ishte “dëm kolateral” në pritën e ngritur, pretendon zëvendëspresidenti i Brazilit


Zëvendëspresidenti i Brazilit ka pohuar se gazetari britanik, Dom Phillips, u vra sepse ishte i shoqëruar në udhëtimin e tij nga aktivisti indigjen Bruno Pereira.

Pohimi ka ardhur fill pasi kanë dalë detaje të tmerrshme për vrasjen e dy burrave në fillim të qershorit.

Një prej tre burrave, të cilët ndodhen në paraburgim për vrasjet, ka treguar se bashkë me bashkëpunëtorët e tij janë përpjekur t’i djegin trupat, pasi i qëlluan për vdekje në buzë të një lumi në Brazilin Perëndimor.

Kur ky skenar nuk funksionoi, ata u kthyen të nesërmen dhe i varrosën trupat e vrarë.

Trupat e dy burrave janë gjetur të mërkurën e kaluar, pasi Amarildo da Costa de Oliveira udhëhoqi oficerët e policisë në vendin ku ata u varrosën, 3.1 kilometra larg brigjeve të lumit.

Amarildo është një nga tre burrat në paraburgim në lidhje me një krim që ka tronditur Brazilin.

Vëllai i tij Oseney u arrestua, po ashtu, së bashku me Jefferson Lima da Silva.

Të tre jetojnë në luginën Javari, pjesë e largët e Brazilit afër kufirit të vendit me Perunë.

Kurse pesë persona të tjerë janë në kërkim nga autoritetet për pjesëmarrje në fshehjen e trupave.

Phillips dhe Pereira po ktheheshin nga një udhëtim në rajon më 5 qershor, kur u zhdukën.

Phillips po punonte për një libër dhe Pereira, i cili kishte kontakte të ngushta me grupet lokale indigjene, po e ndihmonte me intervista.

Referuar dëshmitarëve, Pereira ishte kërcënuar nga burrat një ditë më parë në lumin Itaquaí.

Besohet se ata ishin të shqetësuar se Pereira kishte dëshmi të udhëtimeve të tyre të paligjshme në zonë, shumica e të cilave është e rezervuar ekskluzivisht për fiset indigjene.

Amarildo ka treguar se ata u qëlluan, teksa u përpoqën të shpëtonin nga ndjekësit e tyre.

Lajmi erdhi menjëherë pasi zëvendëspresidenti i Brazilit, Hamilton Mourão, ka thënë se besonte që Phillips vdiq, sepse ishte me Pereira-n, objektivi kryesor i vrasësve.

Ndryshe, “dëm kolateral” i pritës.

Mourão ka shtuar se, edhe në qytetet e mëdha të Brazilit, “çdo fundjavë njerëzit goditen dhe vriten nga thika, nga të shtënat me armë zjarri, në mënyrat më frikësuese”.

Por këto komente të tij kanë zemëruar komunitetet tradicionale, ku Bruno kishte punuar për vite me radhë.

Në një deklaratë, grupi Univaja i njerëzve indigjenë, ka thënë se komentet e Mourão ishin mungesë respekti për Phillips dhe komunitetet lokale.

Edhe pse policia ka thënë se vrasësit kanë vepruar vetëm, Univaja beson se pas krimit qëndrojnë interesa më të fuqishme.

Zona në kufirin e Brazilit me Perunë është e rrethuar me probleme. Dihet, po ashtu, se në këtë zonë operojnë edhe trafikantët e drogës.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore