Lajme

Dogana për mos-lejimin e dinarëve në Kosovë: Pa autorizim të BQK-së nuk lejohet qarkullimi


Dogana e Kosovës.

Pas njoftimit të Bankës Popullore të Serbisë, e cila bëri të ditur se autoritetet e Kosovës s’kanë lejuar që të hyn dinarë të destinuara për të paguar shërbime, Dogana e Kosovës, përmes një përgjigje për Albanian Post ka thënë se pa autorizim s’lejojnë qarkullimin e mjeteve monotore.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka sqaruar se vetëm në rast se automjeti ka marrë leje nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), do t’u mundësohet hyrja me dinarë.

“Përfaqësues të palës serbe sot kanë pyetur në pikën doganore në Jarinjë, se nëse mund të importojnë para (dinarë), ne ua kemi sqaruar se pa autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”, ka thënë Stavileci për Albanian Post.

Banka Popullore e Serbisë (NBS) deklaroi nëpërmjet një njoftimi për shtyp të mërkurën (7 shkurt) se autoritetet e Kosovës nuk lejuan që në territorin kosovar të futen dinarë të destinuara për të paguar rrogat, pensionet, ndihmat sociale dhe pagesat e tjera të Qeverisë së Serbisë për serbët që jetojnë në Kosovë, kryesisht në katër komunat veriore të vendit.

“Në bazë të një praktike të kamotshme, automjeti i NBS-së me mjete në dinarë, sot është dërguar në pikëkalimin në Jarinjë, ku paratë për transport të mëtejmë do të merreshin nga vetura e kompanisë ‘Henderson’ e cila ka licencë nga autoritetet e Prishtinës për transportin e parave. Por, ajo është kthyer pa asnjë shpejgim”, pretendoi NBS-ja të mërkurën.

“NBS-ja dënon fuqishëm incidentin e sotëm dhe riktheson se është e nevojshme që menjëherë të shfuqizohen masat diskriminuese dhe të paligjshme të ndërmarra nga autoritetet e përkohshme në Prishtinë, për të mundësuar transportin dhe shpërndarjen pa telashe të dinarëve dhe për të parandaluar kufizimin e kushteve për jetë të popullatës serbe në Kosovë”.

Në Kosovë, më 1 shkurt, hyri në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb, duke specifikuar se valuta e vetme për pagesa/transaksione në vend është euro. Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari.

Në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë është ndalur, duke nxitur reagimin e autoriteteve serbe dhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore