Kosova

Dogana e Kosovës sekuestron mbi 1,400 litra pije alkoolike dhe jo-alkoolike në Jarinjë


Foto: Dogana e Kosovës

Dogana e Kosovës ka njoftuar nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielën se ka parandaluar kontrabandimin e mbi 1 mijë e 400 litrave të pijeve të ndryshme në pikëkalimin kufitar në Jarinjë, përfshirë rreth 750 litra birrë.

Në njoftimin e doganës thuhet se gjatë së shtunës është paraqitur një kamion me targa të huaja në hyrje të territorit. Fillimisht, shoferi ka deklaruar se kamioni është i zbrazët, por pas kontrollit është gjetur mall i padeklaruar.

“Për shkak të dyshimeve nga ana e zyrtarëve doganorë dhe policorë, kamioni është selektuar për një kontroll të detajuar. Gjatë këtij kontrolli, në hapësirat e kamionit ku vendosen pajisjet është zbuluar mall i padeklaruar si më poshtë: Birra rreth 750 litra, pije energjike rreth 200 litra, pije të gazuara rreth 120 litra, lëngje të ndryshme 350 litra”, thuhet në njoftimin doganor.

Më tej bëhet e ditur se kamioni dhe malli janë dërguar në terminalin doganor dhe janë nën mbikëqyrje doganore deri në përfundimin e procedurave. Dogana e Kosovës herë pas here ka sekuestruar mallra të kontrabanduara në zonat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryesisht pije të ndryshme alkoolike dhe jo-alkoolike, mallra ushqimore dhe teknikë të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore