Lajme

Dogana dhe ATK-ja me aksion në Prishtinë


Dogana e Kosovës.

Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) janë duke zhvilluar një aksion këtë të mërkurë.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci.

“Po, jemi duke bërë kontrollime tek bizneset të cilat merren me importimin e fishekzjarrëve. Aksioni është duke vazhduar dhe për detaje të tjera do të ju njoftojmë me kohë”, ka thënë Stavileci për AP.

Dogana e Kosovës.

Edhe më 8 dhjetor të 2022-ës, Dogana e Kosovës kishte zhvilluar aksion së bashku me Policinë e Kosovës për sekuestrimin e 42 mijë litrave alkool të prodhuar në mënyrë jo ligjore.

Pas një kontrolli rutinor tek një dyqan ku shiten pije alkoolike në fshatin Hoçë e Madhe (Komuna e Rahovecit), zyrtarët kanë gjetur se përveç dyqanit personi përgjegjës operon edhe me veprimtarinë e prodhimit të pijeve alkoolike pa autorizim nga Dogana e Kosovës.

Gjatë kontrollit janë hasur produkte të gatshme me përmbajtje alkoholi në sasi prej rreth 42 mijë litra.

Personi në fjalë ka vepruar krejtësisht në shpërfillje të rregullimit ligjor dhe ka bërë dëm buxhetit në vlerë prej rreth 38 mijë euro vetëm për pjesën e detyrimeve për stokun e hasur gjatë kontrollit.

Ky aktivitet afarist i paregjistruar që nuk i nënshtrohet as kontrolleve sanitare e higjienike, përbën rrezik edhe për shëndetin e konsumatorit.

Në fshatin e njëjtë operojnë dy biznese të autorizuara për produkte të njëjta me pronar qytetar të Kosovës të etnisë serbe dhe paguajnë të gjitha detyrimet ligjore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore