Lajme

Dodik takon Putin-in: Refuzojmë të vendosim sanksione ndaj jush, pavarësisht presioneve


Vladimir Putin dhe Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – Millorad Dodik, është takuar me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, në qytetin Kazan në Republikën e Tatarstanit – i cili është pjesë të Federatës Ruse – të cilit i ka thënë se RS refuzon t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë pavarësisht, siç thekson ai, “presioneve të përditshme”.

Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, presidentit rus i ka thënë edhe se vendi i tij nuk dëshiron të anëtarësohet në aleancën e NATO-s.

“Ne konfirmojmë marrëdhëniet e mira që RS ka dhe kultivon me shtetin rus dhe me ju. Ajo që po bëjmë në rrethanat aktuale është se ne refuzojmë çdo mundësi për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë”, ka thënë Dodik, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Ai ka potencuar se marrëdhëniet në BeH janë “të komplikuara” nga, siç pretendon ai, “fakti që ne jemi ende nën protektoratin e Perëndimit”, dhe ai përsëriti pretendimet e tij të mëparshme – për të cilat ai ka mbështetjen ruse – se Përfaqësuesi i Lartë aktual në BeH, Christian Schmidt, “nuk u emërua në atë detyrë me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Autoritari Dodik, ka folur gjithashtu edhe për marrëdhëniet e tij të mira me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministrin hungarez, Viktor Orban, dhe kjo, sipas tij, “e bën situatën më të lehtë” për RS.

Nga ana tjetër, presidenti autoritar rus Putin, ka vlerësuar se vizita e Dodik-ut do të jetë “e dobishme”, pasi që ai i është mirënjohës për mbajtjen e kontakteve të rregullta dhe se marrëdhëniet midis Rusisë dhe RS-së janë konstruktive.

“Përfaqësuesit e udhëheqjes së Republikës Srpska na vizitojnë rregullisht dhe bashkëpunojnë me ne në fusha të ndryshme. Jam i sigurt se kjo vizitë e juaja do të jetë gjithashtu e dobishme dhe se ne do të mund të shfrytëzojmë kohën për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe në një gamë të tërë fusha”, tha Putin.

Në fillim të takimit, Putin tha se “Rusia e di se situata nuk është e thjeshtë”.

Siç është raportuar nga Radio Televizioni i Republikës Srpska, Putini i dorëzoi Dodik-ut “Urdhrin e Aleksandër Nevskit”, me të cilin iu dha në qershor të vitit të kaluar “për kontributin e tij në zhvillimin e bashkëpunimit midis Federatës Ruse dhe Bosnje e Hercegovinës” dhe “forcimin e partneriteti me Republika Srpska”.

Ndryshe, që nga pushtimi rus i Ukrainës që filloi më 24 shkurt të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuara kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj Federatës Ruse.

Bosnje e Hercegovina – për shkak të vetos që përdor RS në presidencën trepalëshe (serbe, kroate dhe boshnjake) – është një nga vendet e pakta, së bashku me Serbinë, që nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë.

Ndërsa, ky takim i Dodik-ut me Putin-it është i katërti që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore