Dodik Sekretarit të OKB-së: S’je kompetent për ta interpretuar Marrëveshjen e Dejtonit

SHFLETO

Presidenti i Republikes Srpska, Millorad Dodik.

 

Dini Fetahu
22.07.2023 20:35
Loading Icons...

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – ka thënë se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, “nuk është kompetent për ta interpretuar Marrëveshjen e Dejtonit (marrëveshja që i dha fund luftës në BeH, më 1995)”.

Sipas pretendimit të Dodik-ut, Guterres me përgjigjen e tij ndaj letrës së anëtares serbe të presidencës së BeH-së, Zheljka Cvijanoviç, “ka konfirmuar se (Përfaqësuesi i Lartë në BeH) Christian Schmidt nuk është emëruar si përfaqësues i lartë”.

“Guterres nuk mund të interpretojë Marrëveshjen e Dejtonit, ai nuk është kompetent. Ne i kërkuam vetëm të thoshte nëse Schmidt ishte emëruar apo jo. Dhe Schmidt nuk u emërua. Mund të shihet se ka propagandë të rrezikshme kundër Republika Srpska, por kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi të drejtë”, ka theksuar Dodik, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Në përgjigjen e tij ndaj Cvijanoviç-it, lidhur me emërimin e Schmidt-it si Përfaqësues i Lartë në BeH, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së deklaroi se OKB-ja nuk është nënshkruese e Marrëveshjes së Dejtonit dhe se Këshilli për Zbatimin e Paqes në BeH “është organi përkatës për emërimin e Përfaqësuesit të Lartë në BeH”.

Mirëpo, presidenti autoritar i RS potencoi se Marrëveshja e Dejtonit “thotë qartë se Këshilli i Sigurimit i OKB-së zgjedh një përfaqësues të lartë përmes një rezolute përkatëse”, duke shtuar se “ka qenë kështu deri në Schmidt”.

Ndërkaq, ai edhe pyeti se “pse situata në BeH diskutohet dy herë në vit në OKB, nëse OKB nuk është kompetente”.

“Nëse ajo që thotë Guterres është e vërtetë, atëherë ne do të kërkojmë kompensim. Ne do të flasim me shtetet anëtare të OKB-së, sepse rezulton se OKB-ja nuk është përgjegjëse për përfaqësuesit e lartë. Ne e dimë se çfarë po bënte këtu (ish-Përfaqësuesi i Lartë) Paddy Ashdown. Atëherë gjithçka është e paligjshme dhe ne mund të kërkojmë dëmshpërblim”.

Ai po ashtu ka theksuar se Guterres “ka krijuar edhe më shumë konfuzion në Bosnje dhe Hercegovinë”.

Përkundër veprimeve të tij destabilizuese, dhe miqësisë së afërt që e ka me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, ai pohoi se RS mbetet “në rrugën evropiane” dhe se ai është “kundër anëtarësimit të BeH në NATO”, si dhe se BeH “do të duhet të kthehet në Dejtonin origjinal”, duke shtuar se vendi që ai e udhëheqë “do të luftojë politikisht për të drejtat e tij”.