Lajme

Dodik për vendimet e Schmidt-it: Ne s’do t’i pranojmë, s’jemi gati të përulim kokën


Millorad Dodik

Presidenti ultra-nacionalist i Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, i ka reaguar Përfaqësuesit të Lartë në BeH, Christian Schmidt, pasi që i njëjti ka vendosur se nuk do të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së.

Përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, Dodik ka thënë se Republika Srpska “nuk do të pranojë asnjë vendim të një përfaqësuesi të lartë të rremë”.

“Pikërisht sot, kur serbët po përkujtojnë vuajtjen e madhe, Schmidt njoftoi një konferencë për media, si të thuash, për të marrë një vendim”, shkroi ai në Twitter, duke shtuar se “Republika Srpska është një vend, pavarësisht nëse dikush e pëlqen apo jo”.

“Ata duan të na marrin pronën dhe nëse nuk kemi pronë, ne jemi një guaskë bosh”, pretendoi presidenti autoritar i RS.

Ndërkaq, Dodik theksoi se “kjo është arsyeja pse ne do ta mbrojmë atë dhe nuk do të pranojmë vendime që janë kundër Republikës Srpska”.

“Ne nuk jemi gati të përulim kokën, Srpska nuk do të njohë asnjë vendim të përfaqësuesit të lartë të rremë. Republika Srpska u krijua dhe u mbrojt me vullnetin e popullit të saj”, potencoi ai.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka vendosur këtë të shtune lidhur me ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH në territorin e Republikës Srpska, të miratuar nga Asambleja Kombëtare e RS, bazuar në kompetencat e Bonit (të parapara në Marrëveshjen e Dejtonit, më 1995, e cila i dha fund luftës në BeH)

Ai ka vendosur se nuk do të hyjë në fuqi ligji për mospublikimin e vendimeve të Përfaqësueses së Lartë, i miratuar nga Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska, si dhe ligji për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

“Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues të BeH-së, dhe rrjedhimisht Marrëveshjen e Dejtonit. Institucionet e entitetit nuk kanë të drejtë të devijojnë nga vendimet e institucioneve shtetërore, si dhe të devijojnë nga institucionet e bazuara në Kushtetutën e BeH-së”, theksoi Schmidt, duke komentuar ligjin për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH për territorin e RS.

“Pasojat më të mëdha të aventurizmit të tillë të liderëve politikë në RS do t’i vuajnë banorët e RS-së”, potencoi ai.

Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë njoftoi se ka marrë një vendim për ndryshimet në Kodin Penal, i cili sanksionon sulmin ndaj rendit kushtetues në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Më lejoni të bëj një paralajmërim. Të gjitha opsionet janë në tryezë dhe ju të gjithë e dini shumë mirë se çfarë përfshijnë fuqitë e Bonit në dispozicionin tim”, paralajmëroi Schmidt.

Schmidt anulon ligjet e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore