Kosova

“Do t’u shqiptohen gjoba, do t’u konfiskohen veturat”: Serbët kanë edhe 10 ditë afat t’i ndërrojnë patentë shoferët


Ilustrim

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të hënën, ka thënë se autoritetet nuk do t’i “tolerojë” patentë shoferët që u lëshohen serbëve të Kosovës nga Serbia, pas skadimit të afatit për pajisjen e tyre me patentë shoferë të Kosovës.

Elshani ka paralajmëruar se në përputhje me vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ndaj këtyre individëve do të shqiptohen gjoba, duke mos përjashtuar mundësinë që t’u konfiskohen automjetet. E shuma e gjobave, në bazë të ligjit, shkon nga 500 deri në 1 mijë e 500 euro.

“Pas shqiptimit të një gjobe të tillë, vetura duhet të drejtohet nga dikush që ka patentë shofer [kosovar]. Nëse [pronari i veturës] nuk ka dikë tjetër që ta largojë makinën, ajo duhet të parkohet diku menjëherë, ose do ta konfiskojmë”, ka thënë ndër të tjera zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të shtunën, në prag të përfundimit të afatit, u ka bërë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb t’i përgjigjen në mënyrë pozitive ftesës së autoriteteve për kalimin nga patentë shoferët e lëshuar nga institucionet ilegale të Serbisë në Kosovë, në patentë shoferë legalë të lëshuara nga institucionet e Kosovës.

“3941 bashkëqytetarë nga komuniteti serb, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës kanë aplikuar deri më sot për konvertim të patent shoferëve nga ato të strukturave ilegale të Serbisë në patent shofer të Republikës së Kosovës. Deri në përmbylljen e afatit, kanë mbetur edhe dy javë”.

“Nga 9 maji kur ka filluar ky proces, nuk është shënuar asnjë incident i vetëm. I ftoj të gjithë ata që nuk kanë aplikuar ende për konvertim të patent shoferit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi e cila ofrohet në të gjitha komunat deri më datë 9 gusht. Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet tona”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

Ndryshe, dokumentet që nevojiten për të aplikuar për patentë shoferë, në bazë të një njoftimi të lëshuar nga MBP-ja në maj, janë letërnjoftimi i Kosovës, origjinali i patentë shoferit të lëshuar nga autoritetet serbe, certifikata e gjendjes shëndetësore dhe dëshmia e pagesës së taksës rrugore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore