Lajme

“Do të na duhet t’i lajmërojmë ëndrrat në Tabir Sarajin e Albin Kurtit”


Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, përmes një shkrimi ka thënë se, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të kontrollojë të gjithë shoqërinë”.

Madje ai nxori referenca nga libri “Pallati i ëndrrave” i Ismail Kadaresë, duke thënë se “pas kontrollit shoqëror, paranoja do ta shohë rrezikun edhe në ëndrrat tona. Do të na duhet t’i lajmërojmë ato në Tabir Sajarin e Albin Kurtit”.

Tabir Sarajin, te Kadare, kritikët letrar e shohin si figurë letrare jo vetëm një sistemi totalitar të Perandorisë Osmane, por veçanërisht si aludim në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë.

“Një mendësi totalitare nuk e do pushtetin për të qeverisur, por për të kontrolluar. Jo vetëm qeverinë dhe agjencionet qeveritare; jo vetëm institucionet në tërësi, përfshirë gjykatat dhe institucionet e pavarura; por, mbi të gjitha, për të kontrolluar shoqërinë”, shkroi Molliqaj.

“Deklarata e Kurtit mbi nevojën e ndryshimit të udhëheqjes së sindikatave nuk janë asgjë më pak se ambicie totalitare. Sindikatat mund të kenë nevojë për ndryshim, por kjo është çështje e punëtorëve dhe aspak e Qeverisë”, përfundoi ai.

Ndërkaq për këtë gjë reagoi edhe Blerim Syla, Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, i cili tha se do të kontaktojë me përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Kosovë si dhe ato të QUINT-it, të cilëve, siç tha ai, do t’u tregojë se “Albin Kurti është duke i kërcënuar udhëheqësit e sindikatave”.

“Shantazhet dhe kërcënimet e kryeministrit Albin Kurti nuk kanë bërë punë tek unë”, ka deklruar ai.

Ai tha se, Kurti, përderisha ishte në opozitë , i kishte dhënë fjalën se “do ta bënte koefiçientin gjashtë për infermierët dhe mjekët”.

“Pas këtyre, si duket ka zgjedhur njëfarë rruge tjetër, shtetin po e çon në diktaturë”, është shprehur ky sindikalist.

“Në moment kur shteti tenton ti kontollojë sindikatat, shkojmë në diktaturë me një ritëm të tillë”, tha Syla për Klan.

“Nga nesër do t’i lajmërojë të gjithë përfaqësuesit e ambasadave në Kosovë dhe shtetet e QUINT-it për këtë kërcënim që e ka bërë zoti Kurti”, përfundoi ai

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore