Lajme

“Do të diskutojmë mbi avancimin e diplomacisë”, thotë Osmani pas takimit me Erdoganin


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ka nisur takimin e saj në Forumin Diplomatik të Antalisë, ka thënë se do të diskutojë mbi domosdoshmërinë e avancimit të diplomacisë.

Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka thënë se pjesëmarrja e saj vjen pas ftesës së presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Me ftesë të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i jam bashkuar udhëheqësve të tjerë nga e gjithë bota në edicionin e këtij viti të Forumit Diplomatik të Antalisë. Pres me padurim takime produktive, si dhe për të diskutuar mbi domosdoshmërinë e avancimit të diplomacisë”, ka shkruar Osmani.

Osmani, këtë të premte ka udhëtuar për në Turqi, pasi që do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë.

Lajmi është bërë i ditur nga presidenca, derisa kanë njoftuar se ftesa i është bërë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

“Gjatë Forumit, Presidentja Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor të liderëve, me temën e forumit të sivjetëm: ‘Avancimi i diplomacisë në kohë trazirash’”, thuhet në njoftim.

Gjatë punimeve të Forumit, Osmani do të takohet edhe me homologë nga disa vende të botës, pjesëmarrës të forumit.

Forumi Diplomatik i Antalisë është takim i nivelit të lartë, në të cilin adresohen sfidat ndërkombëtare dhe në të cilin marrin pjesë liderë shtetesh, diplomatë dhe akademikë. Forumi i sivjetëm do t’i zhvillojë punimet prej 1deri më 3 mars.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore