Shqipëria

Do ta shohim gjatë ditës nëse Vuçiç do ta nënshkruajë deklaratën e plotë në samit, thotë Rama


Kryeministri Edi Rama ka thënë për gazetën “Danas” se nuk është i sigurt nëse Serbia do të nënshkruajë deklaratën e plotë në samitin e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Kjo pasi në të, ndër të tjera përfshihet edhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Do të shohim gjatë ditës se çfarë do të ndodhë, por do të flasim patjetër”, ka thënë Rama.

Më herët, presidenti serb Aleksnadër Vuçiç ka shprehur rezerva për ta nënshkruar deklaratën e përbashkët të samitit.

E gjitha pasi në njërën ndër pikat e kësaj deklarata të përbashkët shtetet e Ballkanit Perëndimor do të angazhohen të vendosin sanksione ndaj Rusisë.

Serbia është i vetmi shtet që ka refuzuar ta harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në në raport me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pas agresionit në Ukrainë.

Vuçiç ka thënë se Serbia është një vend i pavarur dhe sovran, i cili i di se cilat janë detyrimet e veta në rrugën evropiane.

Ai ka mbërritur në Tiranë pas tensioneve për vendimin e kryeministrit të Kosovës Aljbin Kurti për të emëruar Nenad Rashiqin ministër dhe Rada Trajkoviqin si këshilltare.

Në samitin BE – Ballkani Perëndimor marrin pjesë 30 presidentë dhe kryeministra të vendeve anëtare të BE-së dhe gjashtë liderë të Ballkanit Perëndimor, plus Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila mbërriti në Tiranë me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.

Po ashtu merr pjesë edhe presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgio Meloni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore