Sport

“Do jem milanist përjetë” – Ibrahimovic pensionohet nga futbolli


Zlatan Ibrahimovic është pensionuar nga futbolli i luajtur.

Sulmuesit suedez iu bë një përshëndetje e ngrohtë nga “San Siro” në ndeshjen e fundit të sezonit që Milan-i e mposhti Veronën me rezultat 3:1.

“Nuk mund të marr frymë, por s’ka gjë. Kaq shumë kujtime dhe kaq shumë emocione këtu. Herën e parë që erdha në Milano më dhatë lumturi, herën e dytë më dhatë dashuri”, ka thënë pas ndeshjes Ibrahimovic.

Ai falënderoi më pas të gjithë, derisa tha se Milan-i ishte shtëpia e dytë e tij.

“Dua të falënderoj familjen time që më qëndroi pranë dhe erdhi me mua në këtë aventurë. Dua të falënderoj familjen time të dyte, lojtaret dhe shokët e ekipit”, theksoi Ibra.

“Dua të falënderoj trajnerin, por edhe drejtuesit që më dhanë këtë mundësi”, shtoi 41-vjeçari.

“E fundit, me zemrën time, dua t’i falënderoj tifozët. Me pritet me krahët hapur dhe më bëtë të ndihem si në shtëpi”.

“Do të jem milanist përjetë”, tha mes tjerash Ibrahimovic.

Kujtojmë që 41-vjeçari, si shumicën e ndeshjeve të këtij edicioni, nuk ishte as sonte i gatshëm për shkak të dëmtimeve.

Ibra në këtë sezon u paraqit vetëm në katër ndeshje me fanellën kuqezi, prej të cilave luajti vetëm 144 minuta duke shënuar një gol.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore