Lajme

“Do e bëjmë ndryshimin ashtu siç e bëri Kosova, e kemi përkrahjen e parezervë të Kurtit” – Kasami në përmbyllje të fushatës elektorale në RMV


Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, në tubimin përmbyllës të fushatës parazgjedhore që u mbajt në sheshin “Skënderbeu” në Shkup ka thënë se koalicioni “VLEN” e ka mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Do ta bëjmë ndryshimin ashtu siç e bëri Kosova nga ku e kemi përkrahjen e parezervë nga kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje”, tha Kasami.

Ndryshe, Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje tanimë edhe zyrtarisht është përfshirë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut brenda në fund të prillit dhe në fillim të majit do të përballet me procese elektorale. Fillimisht do të jenë ato presidenciale, raundi i parë më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.

Në kampin shqiptar në zgjedhjet presidenciale do jenë dy kandidatë shqiptarë nga 7 gjithsejtë. Bujar Osmani nga koalicioni “Fronti Evropian” – që përbëhet nga disa parti shqiptare dhe parti të minoriteteve – i ideuar nga kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër është Taravari që ka mbështetjen e “VLEN”-it dhe të kryeministrit Kurti – madje kandidatura e kryetarit të Gostivarit për president ishte bërë pas një takimi që kishte pasur me Kurtin në Prishtinë, së bashku me partnerët e tij të koalicionit.

Ndërsa për zgjedhjet parlamentare, përveç mbështetjes, Kurti do të ketë në listat e “VLEN”-it edhe kandidatë për deputetë, 3 sosh, me në krye këshilltarin e tij, Bekim Qoku.

Duke mbështetur opozitën shqiptare, kryeministri është rreshtuar kundër partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim, rrjedhimisht kryetarit të saj Ahmeti

Përfshirja e Kurtit në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të vendit fqinj nuk është e para.

Ai edhe më herët kishte mbështetur kandidatin e pavarur shqiptar – të përkrahur nga opozita shqiptare – për president Blerim Rekën, duke vepruar ndryshe nga partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, BDI-ja.

Po ashtu, edhe në zgjedhjet parlamentare të 2021-së, Kurti kishte mbështetur opozitën shqiptare, përkatësisht koalicionin në mes të Aleancës për Shqiptarët të Ziadin Selës dhe Alternativës së Afrim Gashit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore