Lajme

Djalë, foshnja e parë e vitit 2024 – Kurti: Shëndetësia mbetet prioriteti ynë


Foto nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga klinika e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), më 1 janar ka bërë të ditur se pesë minuta para mesnatës foshnja e parë që ka lindur është vajzë, ndërsa pesë minuta pas mesnatës foshnja e parë që ka lindur është djalë.

Lajmin e ka bërë të ditur Kurti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Të dy foshnjet sikurse të dyja nënat janë shëndosh e mirë; urojmë që kështu të jenë përherë dhe me jetë të gjatë! Në çdo institucion shtetëror sonte kemi zyrtarët kujdestarë të cilët punojnë që ne të tjerët të mund të festojmë”.

Ndërsa, ka ritheksuar se kjo klinikë është duke u rinovuar me qëllimin që të ofrohen kushte më të mira për pacientët.

“Ministria e Shëndetësisë po e renovon tërësisht Repartin e Gjinekologjisë përmes investimit në vlerë dy milionë e gjysmë euro. Do të ofrohen kushte dinjitoze për nënat e reja dhe mjedise moderne për mjekët e infermierët”.

Duke pohuar se një fat të tillë do të kenë edhe klinikat e tjera, “sepse shëndetësia është prioritet i yni”.

Edhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë Zef Ndrejaj ka folur për gjendjen e nënës që lindi fëmijën e parë në vitin 2024 në Kosovë, duke thënë se ajo dhe fëmija janë mirë.

“Është gjendje e mirë edhe e nënës dhe e fëmijës. Lindja ka shkuar me prerje cezariane për shkak se ka pasur një lindje paraprake me prerje cezariane dhe është dashur patjetër të shkojë edhe me këtë tjetrën”, ka thënë Ndrejaj.

Gjatë kësaj vizite ministri i Shëndetësisë Arben Vitia nuk është deklaruar për media.

Vitin e kaluar fëmija i parë në Kosovë që u lind ishte vajzë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore