Shqipëria

Dita më krenare në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë, thotë Rama


“Dita më krenare e Shqipërisë në historinë e marrëdhënieve tona ndërkombëtare”.

Kështu e konsideron kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, paraqitjen diplomatike shqiptare në krye të tryezës së patkoit të Këshillit të Sigurimit.

Kreu i Qeverisë ka postuar gjithashtu një album me fotografi nga mbledhja e 20 shtatorit në New York, nga çekani i seancës speciale e deri te bashkëshortja e tij Linda Rama, e cila ishte e pranishme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Kujtojmë që, Shqipëria i dhuroi botës diplomatike një sesion të jashtëzakonshëm maratonë – ende i papërfunduar dhe i shtyrë për pasditen e 21 shtatorit.

Kjo, duke lejuar zhvillimin e debatit më të gjerë ndërkombëtar lidhur me luftën në Ukrainë, që prej kur kjo e fundit ka filluar me agresionin rus më 24 shkurt 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, seketari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Disa prej emrave të spikatur të kësaj mbledhjeje, të moderuar në mënyrë jo thjesht dinjitoze, por në detaje të përsosura nga Shqipëria, e cila është kujdesur që nën privilegjin e Presidencës së Këshilli të Sigurimit, të lejonte gjithë botën të shprehte mendimet mbi luftën.

Hapja ishte jo e lehtë nën moderimin e kryeministrit Rama, pasi siç pritej, menjëherë u hodh në sulm ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya.

Ky i fundit, e akuzoi Presidencën shqiptare për thyerje të rregullores së Këshillit të Sigurimit, me lejimin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të folur përpara anëtarëve të Këshillit në rend.

Megjithatë, Rama e bëri të qartë se nuk ka asnjë shkelje të rregullores.

Madje, edhe me batuta të tipit: “Kur vjen nga ju leksioni për mosrespektimin e rregullave është mbresëlënëse”, apo “dua t’i siguroj kolegët rusë dhe gjithë të pranishmit se ky nuk është një ‘operacion special’ i Presidencës shqiptare”.

Përkundrazi, nëse Rusia dëshiron që Zelensky të mos flasë i pari, atëherë çështja është e thjeshtë, pasi mjafton që agresioni ndaj Ukrainës të ndalojë.

Këtë, ambasadori rus nuk e ka pritur mirë dhe i ka kërkuar kryeministrit shqiptar të mos sillet si lider i një shteti, por si President i Këshillit.

Në përgjigje të kësaj, Rama tha se nuk është ai që po sillet si kryeministër, por është përgjigjur në kapacitetin në të cilin ambasadori vetë e ka thirrur.

Rama kërkon bashkim

Shqipëria mund të jetë një vend i vogël dhe pa ndikim në terren në Luftën në Ukrainë, por fjala e saj u dëgjua sot zëlartë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit, kur kryeministri Edi Rama, i kërkoi të gjithëve të mbajnë përgjegjëse Rusinë për çfarë po ndodh në Ukrainë.

Një luftë kjo, e cila jo vetëm që nuk është thjesht e Ukrainës sipas tij, jo vetëm që nuk është thjesht e Evropës, por është e një kërcënimi botëror.

Vetë prania e personaliteteve të larta të politikës botërore në këtë mbledhje, e reflekton qartë se sa rëndësi mbledhja e thirrur nga Shqipëria ka.

Kjo, pasi është e prapranueshme sipas kryeministrit, që në shekullin e XXI-të, kontinenti të vihet në rrezik nga një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit.

Një tragjedi, e cila është bërë nga vetëm një njeri, i cili po kërcënon me uri dhe skamje miliona njerëz në gjithë botën.

Ky nuk ka si të jetë problem vetëm i Evropës, sipas Ramës.

Duke risjellë në vëmendje fjalën e pastorit Martin Niemoller, Rama e shpjegoi në mënyrë të përkyrer gjithë çfarë po ndodh sot.

“Së pari erdhën të merrnin Gjeorgjinë dhe nuk bëra zë, më pas erdhën për Krimenë, nuk ishte vendi im, kështu që nuk fola. Më pas erdhën për të gjithë Ukrainën por nuk isha ukrainas e kësisoj nuk thashë asnjë fjalë , pastaj erdhën për të më marrë mua por askush nuk kishte mbetur për të më ndihmuar e për të më mbrojtur”.

Reflektim i qartë i asaj çfarë sot po ndodh me luftën në Ukrainë.

Në mbyllje, sërish, kryeministri e ka bërë të qartë, se sot është dita për të mbështetur Ukrainën dhe nuk ka rrugë tjetër. Të gjithë, duhet të jenë së bashku në këtë përpjekje.

Shqipëria i dhuron botës debatin më të gjerë ndërkombëtar mbi luftën në Ukrainë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore