Dita Globale e Zgjedhjeve, Meta bën thirrje për votim

SHFLETO
Orges Permargjeta
04.02.2021 17:36
Loading Icons...

Dita e 4 shkurtit është dita globale e zgjedhjeve. Për këtë rast, ka postuar edhe presidenti Meta në Facebook.  Ai ka shkruajtur që “Vota është fuqia e vërtetë e çdo qytetari, sidomos e të rinjve, që kërkojnë dhe mezi presin ndryshimin e madh”. Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të votojnë dhe se askush nuk duhet të mungojë!

Presidenti doli garant që s’do të lejojë askënd të prekë votat e tyre.

Në këtë ditë, nuk kanë munguar as aktivitetet e organizuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Kjo e fundit bashkë me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri organizuan një seri aktivitetesh përqendruar rreth votuesve të rinj. Kjo, me qëllim për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

“Angazhimi i të rinjve në proceset demokratike është një përbërës i rëndësishëm i punës së Prezencës së OSBE-së. Të rinjtë duhet të shkojnë të votojnë Ditën e Zgjedhjeve, të bëhen pjesë e procesit. Ju keni një rol të fortë në të ardhmen e vendit, bëjeni zërin tuaj të dëgjohet”, tha ambasadori Del Monaco gjatë bisedës me të rinjtë.

Celibashi dhe Del Monaco shfrytëzuan rastin për të nxitur të gjithë votuesit të kontrollojnë emrat e tyre në listat e votuesve dhe të kenë një dokument të vlefshëm identifikimi për të qenë në gjendje të votojnë në 25 prill.

⏰ 17:51

Diana Mjeshtri, përfaqësuese e organizatës, Qëndresa Qytetare ka qenë pjesë e aktivitetit të organizuar nga KQZ-ja. Në një bisedë me gazetaren e Albanian Post, ajo u shpreh se të rinjtë duhet të edukohen paraprakisht për pjesëmarrjen në zgjedhje.
“Në zgjedhje bëhet përpjekje masive e forumeve rinore për të regjistruar të rinjtë disa ditë para zgjedhjeve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vetëm udhëzime teknike, mekanike për të rinjtë, ndaj ne kemi propozuar edukimin civil të të rinjve”.
Përfaqësuesja u shpreh se Celibashi e kishte mirëpritur si ide për të shfaqur angazhim në këtë pjesë.