Dita e Rinisë, pluralizmit…dhe Kongresit Socialist

Vitjon Nina
08.12.2023 7:30
Loading Icons...

Më 8 dhjetor, 33 vjet më parë, morën udhë ngjarjet e dhjetorit 1990, të cilat shënjuan përmes lëvizjeve të para studentore pro-demokracisë, edhe kursin e rrjedhës politike shqiptare të së ardhmes.

Ishin rreth 300 studentë, të cilët natën e 8 dhjetorit 1990, nisën të ashtuquajturën Lëvizja Studentore. Ata marshuan nga “Qytet Studenti” drejt qendrës së Tiranës.

Pas tyre shumë të tjerë u bashkuan.

Të gjendur mes territ, nga të gjitha anët ishin të rrethuar nga policë me skafandra dhe agjentë të shumtë të Sigurimit të Shtetit.

Edhe pse përdorën çdo mjet për t’i thyer, studentët nuk u ndalën. Thirrja e tyre “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” triumfoi.

Studentët, ditën pasuese, konfirmuan një kërkesë drejtuar Ramiz Alisë – e ndarë në disa pika – ku kërkonin pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike.

32 vite nga vendosja e pluralizmit në Shqipëri

Prej vitit 2009, data 8 dhjetor përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit ‘90 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Sakaq, Dita Kombëtare e Rinisë, u caktua si e tillë nga Kuvendi i Shqipërisë më 8 dhjetor të vitit 2009.

Por kjo ditë Rinie, nuk është thjeshtë aq, pasi Partia Socialiste – për disa me tendenca provokuese, e për të tjerë thjesht rastësore apo mesazhmbartëse – do të mbledhë Kongresin socialist, në një format të ndryshëm.

Në fakt, të tilla Kongrese janë kritikuar shpesh, pasi etiketohen si formale dhe si mundësi e rastit që lideri partiak të mbajë një fjalë më shumë.

Për këtë Kongres gjithsesi, formati më së shumti i ngjan një mini-samiti, se sa mirëfilltazi kongresi.

Do të jenë në fakt gjashtë panele të organizuar, me fillim prej orës 11:45, ku i pari do të ketë për referencë Reformën në Drejtësi, luftën ndaj korrupsionit, legjislacionin, zbatueshmërinë, afrimin me BE-në dhe Inteligjencën Artificiale.

I dyti lidhet me prioritetet zhvillimore: Infrastruktura, Energjia, Financat, Turizmi, Bujqësia dhe Kultura.

Në të tretin, do të flitet për shërbimet publike: Arsimi, Shëndetësia, dhe Mbrojtja Sociale, Sipërmarrja, Arsimi Profesional.

Qeverisja Vendore zë vend në panelin e katërt, me tema si Reforma Territoriale, Ekonomia Vendore, Shërbimet, Mjedisi.

Siguria dhe Shqipëria në botë do të jetë temë e panelit të pestë dhe paneli i gjashtë, do të lidhet me Partinë Socialiste 2023.

Përmbyllja gjithsesi, do të mbetet e njëjta: fjala e kryetarit të PS-së, Edi Rama.

A mund të ketë risi gjithsesi brenda, në formën e vetë rinisë? Nuk përjashtohet!

Të fundit

Aktuale