Shqipëria

Dita e parë e Parlamentit filloi jashtë tij


Kuvendi i Shqipërisë ka hapur zyrtarisht punimet e Legjislaturës së re, pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku fituese u shpall Partia Socialiste, me 74 mandate, duke e marrë drejtimin e vendit si e vetme.

Ndërkohë që pritja për konstituimin e ligjvënësve ishte e gjatë sipas parashikimeve ligjore, etja për debat parlamentar, e shoi shpejt pritjen për të parë përballë politikanët e kalibrit më të lartë në vend.

Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Edi Rama, nuk pritën gjatë për të qenë në vëmendjen e gjithë shqiptarëve.

Kjo, edhe falë vendimit “in ekstremis” të kryedemokratit Basha, për të përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD-së liderin historik të të djathtëve.

Pikërisht ky i fundit, ishte i pari që e hapi siparin e skenës politike, në këtë legjislaturë të re.

Berisha kundër të gjithëve

“Sot, nis beteja ndaj pazareve të fëlliqura Basha-Rama”.

Kjo do të ishte fjala e parë e Berishës, fill pas mbërritjes së tij në oborrin e Parlamentit.

Synimi i tij i ri politik tashmë, është i deklaruar: Rikthimi i sovranitetit të PD-së.

Këtë, ai argumenton me faktin se përjashtimi i tij, është tërësisht anti-statutor. Ndaj, ai pret të zhvillojë një luftë politike, për t’i çuar demokratët në piedestalin ku Berisha mendon se ata përkasin.

Në sallë, ai nuk do të ketë më mundësi të ulët mes demokratëve. Por, vendi mbetet i afërt.

I rreshtuar kah kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pranë, Berisha do të ketë edhe aleatë të tjerë historikë si Fatmir Mediu apo Vangjel Dule.

Disa demokratë, kanë zgjedhur sakaq të jenë pranë liderit historik të tyre dhe jo kah Bashës.

Armiku i vërtetë

Replikat e forta të Berishës, nuk kanë marrë një përgjigje direkte nga kryedemokrati Basha.

Përkundrazi, ai ka vijuar të theksojë se armiku, është një i vetëm: Edi Rama.

Duke dalë nga dera e prapme e Parlamentit, Bashës iu afruan menjëherë gazetarët, mirëpo përgjigje mbi pyetjet për Berishën, nuk morën.

Përgjigje nuk pati as mbi një presion të mundshëm që mund të ketë pasur ndaj tij për përjashtimin e Berishës.

Ashtu si në deklaratën e tij “përjashtuese”, objekti i vetëm i diskursit të Bashës, ishte Edi Rama.

Gjërat më të rëndësishme

Për kryeministrin Rama, gjithë ky debat politik, është pjesë e të shkuarës, ndërsa mendësia e Partisë Socialiste, është e ardhmja. Ndaj, ai vendosi të mos ketë asnjë koment mbi përjashtimin e Berishës nga Basha, e aq më pak mbi akuzat që Berisha, hodhi mbi të e Bashën.

“Shqipëria, duhet të çohet në një nivel tjetër”.

Kjo është qasja e Ramës në mandatin e tretë.

Sakaq, mbi shtrirjen e dorës për opozitën, ajo vijon të mbetet e vlefshme. Mbi të gjitha, për çështjet madhore në Shqipëri.

Sfidat, problemet, hallet dhe shpresat e njerëzve te Partia Socialiste janë shumë të mëdha për Ramën. Ndaj, e vetmja gjë që pritet, është të votëbesohet Qeveria e re dhe mandatimi i saj.

Pas dy vjetëve inaktivitet parlamentar të opozitës, diskursi politik, ka filluar ende pa hyrë në Seancën e parë Plenare.

Vijimi në të njëjtat linja, mbetet për t’u parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore