Lajme

Jashari, ushtarëve: Të nderojmë sakrificat e të gjithë atyre brezave të cilët janë meritorët më të mëdhenj të lirisë që e gëzojmë


Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka uruar ushtarët e FSK-së me rastin e “Ditës së Forcës”.

“Të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë, përkushtimi juaj i palëkundur dhe puna juaj e palodhshme që keni bërë dhe vazhdoni të bëni për ushtrinë dhe vendin tonë, meritojnë falënderim të veçantë dhe mirënjohje të pafundme”, ka shkruar Jashari në Facebook.

“Në këtë ditë të veçantë, le të reflektojmë së bashku në të kaluarën tonë dhe të nderojmë sakrificat e të gjithë atyre brezave të cilët janë meritoret më të mëdhenj të lirisë të cilën e gëzojmë sot”.

Ai ka theksuar se vetëm përmes përkushtimit dhe punës së palodhshme do të realizohen “qëllimet tona të përbashkëta”.

“Urime Dita e Ushtrisë për ju, djem dhe vajza të shkëlqyer të ushtrisë sonë”, shtoi ai.

Të hënën, Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 13:00 organizojnë “Ditën e hapur’’.

Sipas njoftimit të ministrisë, manifestimi qendror do të mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku do të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetëror, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në vendin tonë.

“Në këtë ditë festive, të gjithë qytetarët janë të mirëpritur në të gjitha kazermat e FSK-së, si në: Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin, ku do të ekspozohen pajisje, armatime, demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme, që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së. Gjithashtu, në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 19:00, ju ftojmë të që të pasqyroni koncertin e bendit frymor të FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës, që do të mbahet në Sallën e Kuqe- Pallati i Rinisë”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore