Dita e dytë e raundit të dytë, luhet midis kualifikimit dhe pikëve të para në grupe

SHFLETO
Romario Ismailaj
17.06.2021 8:00
Loading Icons...

Dita e dytë e raundit të dytë në Euro 2020 do të sjellë ndeshje interesante. Belgjika, Holanda dhe Austria i kanë marrë tri pikët e para në grup dhe janë një hap larg kualifikimit për në fazën tjetër.

Tjetër situatë paraqitet për Ukrainën, Danimarkën dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat do të kërkojnë të marrin pikët e para në këtë Evropian.

Dy përballje do të luhen në Grupin C dhe një në Grupin B. Ndeshja që do të ngrejë siparin e ditës së enjte të 17 qershorit në Euro 2020 do të jetë ajo midis Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut.

Sfida do të luhet duke filluar nga ora 15:00 në Bukuresht të Rumanisë, në stadiumin “Arena Nationala”.

Ukraina humbi ndeshjen e parë përballë Holandës, me rezultatin 3-2. Maqedonasit dështuan përballë Austrisë me rezultatin 3-1. Të dyja skuadrat tanimë janë në kërkim të pikëve të para për këtë “fushatë” Evropiani.

Përballja e radhës, ajo e orës 18:00, do jetë mes Danimarkës dhe Belgjikës. Dy skuadrat e Grupit B do të ndeshen në Kopenhagen në “Parken Stadium”. Për Danimarkën, kjo do të jetë ndeshja e dytë në këtë stadium, për Euro 2020, pas asaj me Finlandën.

Danimarka është duke kërkuar pikët e para në fazën e grupeve, pasi ndeshjen e parë e humbën me rezultatin 0-1 përballë Finlandës.

Belgjika po kërkon të vulosë kualifikimin për në fazën tjetër, pasi në ndeshjen e parë arriti të mposhtte Rusinë me rezultatin e pastër 3-0.

Ndeshja që do të mbyllë ditën sotme, do të jetë ajo mes dy skuadrave të tjera të Grupit C, Holandës dhe Austrisë. Përballja do të luhet në “Johan Cruyff Arena” duke filluar nga ora 21:00.

Holanda dhe Austria duelojnë për vendin e parë në grup, pasi kanë nga tri pikë, pas fitoreve, përkatësisht me Ukrainën dhe Maqedoninë e Veriut.

Këto skuadra do të rikthehen për të luajtur përsëri më 21 qershor, në ndeshjet e fundit të fazës së grupeve.