Kosova

Disa deputetë serbë kërkojnë formimin e një Komisioni Parlamentar për rolin e Radojiçiç-it në sulmin terrorist në Veri


Srdan Milivojeviç

Partia Demokratike në Serbi, përkatësisht, deputeti i kësaj partie, Srdan Milivojeviç, i ka dorëzuar në emër të një grupi deputetësh, një propozim Kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliç, përmes të cilit kërkohet formimi i një Komisioni Parlamentar për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Veri, dhe rolin e kriminelit Milan Radojiçiç në këtë rast.

Në shpjegim të këtij propozimi, drejtuar Orliç-it, thuhet se pas kësaj ngjarje, “është e nevojshme që Kuvendi i Serbisë të formojë menjëherë një Komision Hetimor që do të hidhte dritë mbi rolin e Milan Radoiçiç-it, nënkryetar i Listës Serbe, një degë e Partisë Progresive Serbe, gjatë ngjarjes në Banjska”.

Aty pohohet, siç raporton media opozitare serbe “Danas”, se Radoiçiç “si njeri i regjimit të Aleksandër Vuçiç-it, është shënuar jo vetëm si lider politik i serbëve nga Kosova, por edhe si personi më i besuar i presidentit serb”.

Tutje, në kërkesë potencohet se terroristi Radojiçiç “është shënuar nga vetë Vuçiç si njeriu numër një në mbrojtjen e Mitrovicës së Veriut”.

Sipas këtij propozimi, Komisioni hetimor duhet të përcaktojë nëse Radoiçiç “ka marrë pjesë në formimin e një organizate kriminale” dhe nëse ka marrë pjesë “në frikësimin dhe terrorin ndaj qytetarëve serbë që nuk kanë përkrahur politikat e dëmshme dhe të dëmshme të Aleksandër Vuçiç-it”.

Ndryshe, të martën Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje të nënkryetarit të Listes Serbe, Milan Radojiçiç ku shihet në Veri, saktësisht në Banjskë.

Ai e ka publikuar videon në rrjetin social ‘Facebook’ duke thënë se është udhëheqës i grupit terrorist dhe sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Kjo është edhe një dëshmi tjetër mbi veprimtarinë e tij terroriste ndaj Republikës së Kosovës. Nënkryetari i Listës Serbe është prijës i sulmit terrorist dhe grupit të terroristëve”.

“Harta e sulmit terrorist po qartësohet çdo ditë: Aleksandër Vuçiç përmes Listës Serbe, dhe këta përmes nënkryetarit të tyre Radojçiç kanë ndërmarrë veprimin terrorist kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës duke tentuar të destabilizojnë Republikën tonë”.

Sipas ministrit, Lista Serbe, është duke e parë pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste.

“Pra, LS e sheh pjesëmarrjen e saj në Kosovë vetëm në mënyrë terroriste. Ata dështuan”.

Çka ndodhi të dielën e 24 shtatorit në Veri?

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

Sveçla: Gjetëm dokumente të Radojiçiç-it, dëshmojnë pjesëmarrjen e tij në sulmin ndaj policëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore