Kosova

Diplomati italian: Asociacioni duhet të themelohet – Tiroli Jugor mund të shërbejë si frymëzim


Luca Gori

Ambasadori i Italisë në Beograd, Luca Gori, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, tha se takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është një hap përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Gori tha se propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është “një mundësi që duhet shfrytëzuar” dhe shtoi se Italia, nga ky këndvështrim, “vlerëson qëndrimin realist dhe konstruktiv” të presidentit Vuçiç.

Në takimin e nivelit të lartë në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, u arrit një dakordim që Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Megjithatë, diplomati italian theksoi se në procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka ende shumë për të bërë drejt finalizimit të marrëveshjes, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ne jemi të bindur se marrëveshjet e nënshkruara nga Beogradi dhe Prishtina duhet të zbatohen plotësisht. Prandaj, ne besojmë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të formohet pa vonesa të mëtejshme, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes së Brukselit”, tha Gori.

Në këtë kontekst, tashmë po përmenden edhe modele të ndryshme në Evropë që do të mund të përdoreshin si shembull për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Janë përmendur Ishujt Aland të Belgjikës Lindore, por më shumë se gjithë të tjerët ai i Tirolit Jugor në Itali.

E, kur u pyetur nëse modeli i Tirolit të Jugut mund të jetë i pranueshëm për të dyja palët si zgjidhje për një lloj autonominë në pjesën veriore të Kosovës, diplomati italian nënvizoi se “ka shumë shembuj që mund të shërbejnë si modele”.

“Ajo që është zbatuar në Tirolin e Jugut ka treguar se mund të funksionojë dhe mund të shërbejë si frymëzim, së bashku me zgjidhjet e tjera të përdorura në vendet e tjera evropiane. Megjithatë, i takon Beogradit dhe Prishtinës të vendosin”, përfundoi ai.

Ndryshe, sipas Josep Borrell-it, shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, të dyja palët janë pajtuar që “nuk ka nevojë më për diskutime rreth propozimit të BE-së” dhe për të gjitha ato që u pajtuan të dy liderët do të ketë nevojë për një takim të ri që do të mbahet me 18 mars në Shkup.

Po ashtu një dakordim u arrit që të vazhdohet me diplomaci fluturuese të Emisarit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd për të shqyrtuar Aneks-dokumentin e zbatimit të Marrëveshjes që në fund pritet të përbëjnë një dokument të njësuar.

Për herë të parë është zbuluar edhe zyrtarisht përmbajtja e marrëveshjes i cili parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore e çka jo tjetër.

Por, në asnjërën nga 11 nenet e saj nuk parashihet njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, por kosovarëve përveç themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe iu kërkohet që së bashku me serbët ta formalizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Vëmendja e shtuar e Italisë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – Politikë e re e Giorgia Melonit për Ballkanin, apo vazhdimësi e natyrshme?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore