Diplomacia sterile e Kosovës

SHFLETO

Ilustrim

 

Ridvan Emini
16.09.2021 7:00
Loading Icons...

Shumica e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës mbesin ende të zbrazura në periudhën kur ka kaluar moratoriumi i Marrëveshjes së Uashingtonit për lobim për njohje të shtetësisë nga njëra anë dhe nga ana tjetër Serbia mund ta rifillojë fushatën e saj kundër shtetësisë së Kosovës.

Pavarësisht se tashmë (jo)zyrtarisht thuhet se janë bërë gati emrat e 14 ambasadorëve për misione diplomatike, ku pesë nga ta do të emërohen përmes çelësit politik e nëntë të tjerë si diplomatë karriere.

Kjo nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po shihet si një vonesë e cila do t’i kushtojë Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Analisti Shkodran Ramadani për Albanian Post ka thënë se shërbimi diplomatik i Kosovës prej muajsh është “inekzistent” pasi që ambasadat kanë mbetur të zbrazëta pa ambasadorë.

“Qeveria ende nuk e ka nisur punën për riemërimin e ambasadorëve të rinjtë. Kjo është edhe më e rëndë kur dihet që me 4 shtator ka përfunduar moratoriumi i Marrëveshjes së Uashingtonit, e cili i jep Serbisë të drejtë që të fillojë fushatën e ç‘njohjeve, pasi që ka përfunduar moratoriumi, por kjo skadencë i jep të drejtë edhe Kosovës të loboj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”.

Shkodran Ramadani- Analist

Ramadani thotë se mos-puna e Qeverisë ka bërë që “Kosova nuk ka shërbim diplomatik që të mbrohet nga ofensiva e Serbisë” nga njëra anë dhe nga ana tjetër, “as nuk mundet me nis fushatë efektive ndërkombëtare për anëtarësim në organizata të reja”.

Sipas Ramadanit, kjo gjendje dhe kjo punë e varfër dhe ky “sterilitet e përshkon qeverinë në shumë nivele” të saja.

Ambasadat edhe për një kohë do mbesin pa titullarë

Ndërsa ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Besnik Hoti, për Albanina Post është shprehur se kthimi i ambasadorëve të shkarkuar ishte një “praktikë shumë e gabuar”.

“Me këtë veprim u krijua një vakum në frontin e parë të mbrojtjes së interesave shtetërore dhe qytetare në marrëdhëniet me jashtë, sepse mungojnë titullarët e misioneve tona diplomatike në shtetet respektive dhe mbi të gjitha ulja e nivelit të përfaqësimit në këto vende mund të dëmtojë raportet e Kosovës më këto shtete mike”.

Ish-zëvendësministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, Besnik Hoti

Pavarësisht se liderët politik premtuan se zëvendësimi i ambasadorëve do të behet shpejt, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Hoti thotë se edhe akreditimi i ambasadorëve të rinj nëpër shtetet respektive do të marrë kohë, rrjedhimisht ambasada do të mbesin edhe për një kohë pa titullarë.

“Duke pasur parasysh procedurat e emërimit të ambasadorëve të rinj dhe marrja e pëlqimit nga shtetet respektive, i bie që tre ose katër muaj këto poste do të jenë vakante”.

Për t’u përshëndetur, sipas Hotit mbetet vetëm ajo që “kjo qeveri ka vendosë që 70% e ambasadorëve të rinj do të jenë diplomatë karriere”.

Hoti tërhoqi vërejtjen se Serbia ka lobuar në vazhdimësi nëpërmjet “vizitave të ministrit të jashtëm në shumë vende të Afrikës”.

Kjo tregon qartë se “Serbia nuk është ndalur së punuari kundër shtetësisë sonë”.

“Vakumet që janë krijuar, e rrisin përpjekjen e Serbisë sidomos në kontinentin e Afrikës, ku Republika e Kosovës ka vetëm një ambasadë në shtetin e Senegalit por edhe aty mungon ambasadori qe një kohë”.

Përfaqësim (pa)informata

Mungesa e ambasadorëve dhe në disa ambasada edhe stafit tjetër përcjellës e zvogëlon informacionin që duhet dërguar shtetit nga vendet respektive ose anasjelltas. Sipas ish zëvendësministrit të jashtëm “ka shumë rendësi niveli i përfaqësimit”.

Ministri i jashtme nuk ka kalkuluar saktë kur ka kthyer ambasadorët e shkarkuar. Pasi që informacionet nuk mund t’i jepen njëjtë secilit diplomat.

“Nuk i ofrohen informata një të ngarkuari me punë siç i ofrohen Ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në një vend të caktuar”.

Ylli Sokoli, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studimeve evropiane në Universitetin Evropian Viadrina, Frankfurt Oder, është i mendimit se edhe me ambasadorë nëpër ambasada, Kosova në politikën e jashtme do të ishte tejet e dobët në rrjedhën e (mos)zhvillimeve që po ndodhin.

Ai për Albanian Post ka thënë se kjo vije si rezultat i “mos-angazhimit të qeverive paraprake, por edhe për shkak të dobësisë së MPJD-së sot”.

Emërimet në ministrinë e jashtme, sipas Sokolit, janë më shumë simbolike se sa profesionale.

Lobimi për çnjohje përpjekje dëshpëruese

Tërheqja e njohjes nuk është praktikë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Andaj, lidhur me këtë Hoti konsideron se “kjo lloj diplomacie serbe duhet të interpretohet si përpjekje e dëshpëruar për të arritur qëllimin destruktiv në marrëdhëniet multilaterale ndërkombëtare”.

Sidoqoftë edhe qeveritë e vendeve të cilat mund të marrin në konsideratë këtë veprim të skajshëm, duhet të kalkulojnë se çka humbin dhe çka fitojnë me veprime të tilla.

“Besoj se humbjet janë shumë më të mëdha për kredibilitetin ndërkombëtar të një shteti se sa përfitimet e vogla që mund të marrin nga Serbia”, ka thënë Hoti.

Sa i përket Marrëveshjes së Uashingtonit, Sokoli konsideron se “Serbia që nga fillimi nuk e ka respektuar atë. Pas deklarimit të Serbisë se ajo do të ndalë ‘fushatën e ç’njohjeve’, ajo i ka kërkuar Izraelit të anulojë njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Sa i përket çështjes së njohjeve, Konventa e Montevideos me nenin e saj të 6-të ua pamundëson shteteve të bëjnë të ashtuquajturën ‘çnjohje’ thotë ai.

Ai tutje thotë se Kosova gëzon njohjen e 115 vendeve anëtare të OKB-së, ndërkaq sipas tij “fushata e Serbisë është vetëm për konsum të brendshëm elektoral”, kurse dëmi i vetëm i Kosovës në politikën e jashtme është “mos-angazhimi i institucioneve tona për të shtuar njohje, dhe për të krijuar marrëdhënie bilaterale me shtetet njohëse”, ka përfunduar Sokoli.

Ylli Sokoli-Studiues i marrëdhënieve ndërkombare

Ndryshe, më tre shtator të këtij viti, ka dështuar mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme për intevistimin e ambasadorëve të lartcekur, pasi s’kishte kuorum.

12 ambasadorë të Kosovës ishin liruar nga detyra në muajin maj të vitit të kaluar nga Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Pjesa më e madhe nga ta kanë qenë më parë funksionar nëpër parti politike.

Beqë Cufaj ambasador në Gjermani, Nait Hasani ambasador në Shqipëri, Arbër Vllahiu ambasador në Çeki, Lirim Grajçevci ambasador në Holandë, Shpend Kallaba ambasador në Hungari, Gezim Kasapolli ambasador në Kroaci, Avni Kastrati ambasador në Slloveni, Gjergj Dedaj ambasador në Maqedoninë e Veriut, Hajdin Abazi, ambasador në Australi, Ylber Hysa ambasador në Mal të Zi, Avni Arifi ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Amir Ahmeti ambasador në Katar, janë të liruarit nga detyra nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës.