Shqipëria

Diplomacia shqiptare dhe kosovare i bashkohen mesazhit për ngjarjet në Iran


“Ne, si ministre të Jashtme gra, jemi mbledhur në solidaritet me gratë e guximshme iraniane që angazhohen në të drejtën e tyre për tubim paqësor dhe që mbrojnë të drejtat e tyre njerëzore. Ne e pranojmë se gratë iraniane po luftojnë gjithashtu për një të ardhme më të mirë për të gjithë iranianët dhe ne kemi detyrimin moral t’i mbështesim ato. Ne mbështesim fuqimisht punën jetike të mbrojtësve të të drejtave të njeriut, në veçanti të grave mbrojtëse të të drejtave të njeriut, të cilat sigurojnë që njerëzit në mbarë botën të jenë të lirë të ushtrojnë dhe gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore dhe liritë themelore”.

Kështu pikënis mesazhi i përbashket i kryediplomateve të 12 shteteve, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën për ngjarjet që po zhvillohen në Iran.

Kjo, pas takimit virtual të ministrave të jashtëm të mbledhur më 20 tetor nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly.

Zyrtaret dënuan fillimisht me vendosmëri veprimet e dhunshme të raportuara që çuan në vdekjen tragjike të Mahsa Amini.

Ato përsëritën thirrjet e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për një hetim të shpejtë, të paanshëm dhe të pavarur mbi përdorimin e forcës nga autoritetet dhe shtypjen e mëvonshme të demonstratave.

Kjo, duke përfshirë zbatimin e kufizimeve të rrepta të internetit dhe telekomunikacionit dhe përdorimin e tepruar të forcës kundër protestues, duke përfshirë studentë.

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje qeverisë iraniane që të lejojë që Raportuesi Special për situatën e të drejtave të njeriut në Republikën Islamike të Iranit t’i lejohet aksesi në Iran”, shtoi deklarata zyrtare.

Sipas tyre, përfaqësueset diplomatike ndjejnë përgjegjësinë për t’iu bërë jehonë zërave të grave iraniane.

Gjithashtu, njoftimi i përbashkët dënoi zbatimin e dhunshëm të ligjit të dëlirësisë dhe goditjen e vazhdueshme kundër protestuesve në Iran, të cilët ushtrojnë të drejtën e tyre për lirinë e mendimit dhe të shprehjes.

“Ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar nga goditjet e vazhdueshme të dhunshme dhe përdorimi joproporcional i forcës kundër civilëve, veçanërisht grave dhe studentëve, si dhe ngacmimi i gazetarëve. Ne i bëjmë thirrje Iranit të de-përshkallëzojë tensionet dhe të përmbahet nga kryerja e akteve të mëtejshme të dhunës së paprovokuar kundër popullatës së tij që tashmë ka rezultuar në mbi 200 vdekje që nga shtatori 2022″, vijon qëndrimi i 12 ministreve.

Në përmbyllje ato kujtojnë se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut.

“Ne ju dëgjojmë. Ne jemi me ju”.

Shqipëria mbështet kauzën e protestave të grave iraniane pas “ngrirjes diplomatike”

Takimi

“Gratë tepër të guximshme të Iranit” meritojnë mbështetjen tonë, tha ministrja e Jashtme e Kanadasë gjatë një takimi me një grup homologesh të saj femra nga e gjithë bota.

Sipas saj, gratë e Iranit po flasin qartë, të cilat nuk do të tolerojnë më vizionin e regjimit për gratë në shoqëri.

Tubimi trajtoi protestat njëmujore që filluan me vdekjen e Mahsa Amini-t muajin e kaluar në Iran, ndërsa ishte në paraburgim nga policia.

Joly tha se tubimi “tregon solidaritet global për gratë iraniane dhe i thotë regjimit iranian se bota po shikon”.

“Ne kemi një përgjegjësi për të ndihmuar në përforcimin e zërave të grave në Iran”, shtoi kryediplomatja kanadeze.

Irani ka akuzuar vendet që kanë shprehur mbështetje për protestat për ndërhyrje në punët e tij të brendshme.

Nahayat Tizhoosh, i Korporatës Kanadeze të Transmetimeve, shkroi të enjten se mes folësve në konferencën virtuale ishte edhe Shirin Ebadi, një avokate iraniane dhe laureate e Çmimit Nobel për Paqen.

Zyrtaret femra u vendosën të dëgjonin nga gratë me origjinë iraniane dhe të diskutonin mënyrat për të koordinuar përpjekjet në mbështetje të iranianëve.

Amini, një grua 22-vjeçare nga rajoni i Kurdistanit të Iranit, u arrestua më 13 shtator nga e ashtuquajtura Policia e Moralit për mbajtje të pahijshme të hixhabit.

Ajo vdiq tre ditë më vonë ndërsa ishte në paraburgim nga policia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore