Shqipëria

Diplomacia “rajonale” amerikane mblidhet në Tiranë


Diplomatë të lartë amerikanë dhe ambasadorë nga rajoni u mblodhën në Tiranë për konferencën e parë të “Shefave Rajonal të Misioneve”.

Lajmi u bë i ditur nga Ambasada amerikane në Tiranë, duke cituar statusin në median sociale “Twitter”.

Të pranishëm ishin edhe ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe në Serbi, Jeffrey M. Hovenier dhe Christopher R. Hill.

Sipas njoftimit të diplomacisë, zyrtarët e pranishëm diskutuan prioritetet rajonale dhe globale.

Kjo, duke përfshirë pushtimin rus të Ukrainës, mundësitë e energjisë, forcimin e institucioneve demokratike dhe luftimin e korrupsionit.

Administrata Biden zbuloi në tetor të vitit të kaluar Strategjinë e saj të shumëpritur të Sigurisë Kombëtare.

Kjo, duke veçuar konkurrencën midis fuqive të mëdha botërore dhe kërcënimet e përbashkëta, si ndryshimi i klimës, si dy sfidat më të mëdha me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa bota hyn në atë që dokumenti e përshkruan si një “dekadë vendimtare”, ai përshkruan tre fusha prioritare: investimi në burimet themelore të forcës së SHBA-ve, puna me aleatët dhe partnerët për të adresuar sfidat e ndërsjella dhe vendosja e rregullave të tregtisë, ekonomisë dhe teknologjive në zhvillim.

“Ne do të ndihmojmë partnerët në forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, thekson strategjia në faqen nr.39.

Dokumenti prej 48 faqesh ofron pamjen më të thellë të botëkuptimit të administratës Biden deri më tani.

Duke u bazuar në strategjinë e përkohshme të lëshuar menjëherë pas betimit të presidentit amerikan Joe Biden, si dhe duke shtuar politikat e zhvilluara tashmë nga administrata, temat e saj qendrore do të përmbajnë pak surpriza për vëzhguesit e ngushtë të politikës së tij të jashtme.

Strategjia e Sigurisë Kombëtare fillimisht ishte planifikuar të publikohej në pranverë, por u vonua nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore