“Diplomacia kosovare ka rënë në koma”, dy ish-ambasadorët flasin për Albanian Post

SHFLETO

Qeveria e Kosovës.

 

Altina Marmullaku
12.03.2022 7:30
Loading Icons...

Të mërkurën e nëntë marsit, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të blejë edhe dy objekte që do të shfrytëzohen për ambasada të Kosovës në Washington DC të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.

Blerjet e objekteve janë të domosdoshme, por kjo s’përbën diplomaci aktive.

Aksione konkrete në politikën e jashtme, përveç të tillave që janë më shumë çështje teknike-administrative nuk ka pasur. Prandaj, njohësi i çështjeve diplomatike dhe ish ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, në një bisedë për Albanian Post, diplomacinë aktuale të Kosovës e ka quajtur “komë politike”.

“Nuk ka anëtarësime, aplikime dhe asocime në organizatat ndërkombëtare, nuk ka njohje të reja dhe nuk ka politika të jashtme dinjitoze dhe shtetërore”, thotë ai.

“Kjo tregohet edhe me faktin se Osmani dhe Gërvalla, në vitin 2021 shkarkuan në mënyrë skandaloze 12 ambasadorë, akt i cili ishte, sipas mendimit tim, grushtshtet në diplomacinë e Kosovës”.

Një nga këta 12 të shkaruar nga Osmani, me 19 maj të vitit të kaluar, ishte edhe vetë Deda.

Ish-ambasadori edhe atëherë, njëjtë si tash, e kishte quajtur “grusht-shtet” shkarkimin, derisa kishte akuzuar Osmanin në një letër publike se e shkarkoi për t’ia bërë vendin në ambasadën e Kosovës në Shkup, burrit të saj.

Kosova, aktualisht, ka mbi 28 ambasada në botë përafërsisht 8 misione diplomatike dhe rreth 18 konsullata të përgjithshme, të cilat kryesisht merren me shërbimet konsullore, siç janë vizat dhe shërbime të tjera të nevojshme për qytetarët e Kosovës, të cilët jetojnë në ato vende.

Flamuri i Kosovës.

Terren të vështirë për të bërë diplomaci aktualisht sheh edhe ish ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi.

Abazi, njëjtë si Dedaj, ishte një nga 12 të shkarkuarit e Osmanit. Por ai, ndryshe nga Dedaj, nuk e bën faktor vec diplomacinë e dobët kosovare për mosarritje suksesi.

“Pa fije dyshimi është krijuar një shije e keqe për Kosovën dhe politikën e saj të jashtme. Por, po ashtu edhe na ka gjetur në defanzivë. Sepse, relatat diplomatike nuk funksionojnë vetëm kur ti ke nevojë, por ato duhet mirëmbajtur vazhdimisht, duhen përditësuar dhe thelluar e zgjeruar, ndryshe nuk ka efekt diplomacia jonë”, deklaroi Abazi në një përgjigje për Albanian Post.

Abazi ka edhe një qëndrim për numrin e ambasadave të hapura nga Kosova në vendet e tjera.

“Sigurisht ka rëndësi numri i ambasadave dhe konsullatave dhe lokacionet e tyre, që në ndonjë rast nuk janë bërë me analiza të mirëfillta dhe sipas nevojave, por ka pasur raste madje edhe kur është hapur ndonjë përkundër faktit se është rekomanduar të mos bëhet hapja sepse nuk ka ndonjë nevojë”.

Vite më parë, kufizimet buxhetore kanë qenë një prej arsyeve për mos-hapjen e misioneve diplomatike të Kosovës në vende të ndryshme dhe për këtë ishte diskutuar edhe ideja e përfaqësimit të përbashkët me Shqipërinë.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, 14 vjet më parë, Republika e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë për Punë të Jashtme, është njohur nga 117 shtete, edhe pse ky numër është kontestuar disa herë, për shkak të raportimeve për “çnjohje” nga disa shtete, si pasojë e lobimit të Serbisë.