Shqipëria

Diplomacia greke: Betimi i Belerit të bëhet menjëherë, brenda apo jashtë burgut


Athina zyrtare e ka cilësuar si zhvillim negativ rrëzimin e ankimimit të kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri nga Gjykata e Lartë e Tiranës.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis shprehu edhe një herë shqetësimin për vendimin e gjykatës.

Kryediplomati helen i bëri thirrje qeverisë shqiptare të marrë masa të menjëhershme, legjislative ose administrative, betimi i menjëhershëm i Belerit të bëhet brenda apo jashtë burgut.

“I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të sigurojë menjëherë, ligjërisht apo administrativisht, betimin e menjëhershëm të zotit Beleri, brenda apo jashtë burgut. Ministria e Punëve të Jashtme do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimin e çështjes dhe do ta ngrejë këtë çështje në të gjitha forumet ndërkombëtare”, përmbyllet reagimi i diplomacisë greke.

Gjykata e Lartë la në fuqi të martën e 25 korrikut masën arrest me burg për kreun e Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

Kujtojmë se më 15 qershor ai bëri rekurs në këtë Gjykatë ku kërkonte lirinë, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila e la atë në burg, nën akuzën e shitblerjes së votave.

Sipas avokatëve të Belerit, vendimi që angazhoi grupet operacionale për përgjimin e tij nuk ka datë dhe orë të fillimit dhe mbarimit të veprimit, ashtu sikurse as kërkesa për vleftësimin e tyre, duke e bërë atë të paligjshëm.

Ndaj, kërkohet shpallja e paligjshme e tyre.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e zhvilluar më 25 maj, ka certifikuar rezultatin, ku i dha mandatin edhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit i cili ndodhet në burg.

Si do të procedohet mandati i tij?

Ligji për qeverisjen vendore vëren se procedura që pritet të ndiqet për marrjen e mandatit është e tillë: brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultatit mandati verifikohet nga Gjykata (Dhoma Civile).

Beleri nuk ka një vendim dënimi të formës së prerë dhe pritet që gjykata ta shpallë të vlefshëm mandatin e tij.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak bëhet betimi dhe më pas mund të konsiderohet kryetar bashkie.

Nëse Beleri mbetet në burg brenda tre muajve të ardhshëm dhe nuk do të paraqitet për betimin, Këshilli Bashkiak mund të kërkojë shkarkimin e tij, në bazë të pikës C të nenit 62 të ligjit.

Mundësia tjetër që Beleri nuk mund të mandatohet është ajo e shkarkimit nga Këshilli i Ministrave.

Referuar nenit 115 të Kushtetutës, Qeveria mund të shkarkojë një kryebashkiak për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve.

Për këtë, Këshillit të Ministrave do t’i duhej të merrte një vendim vetëm pasi Beleri të betohej dhe të bëhej kryebashkiak.

Precedentë të mëparshëm të kryebashkiakëve të akuzuar dhe më pas të shkarkuar me vendim qeverie pa pritur vendimin e gjykatave ka disa.

Të fundit ishin Fatos Tushe i Lushnjës dhe Lefter Alla i Bulqizës, por që të dy nuk u ankuan në Kushtetuese.

SPAK i akuzon të dy ish-zyrtarët për korrupsion me tenderat dhe shpërdorim detyre.

Qeveria nuk priti vendime të formës së prerë të drejtësisë për t’i shkarkuar.

Rasti i Belerit është i ngjashëm me atë të ish-kryebashkiakut të Bulqizës, pasi të dy akuzohen për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore